
Në Sallën e Aktiviteteve Kulturore të ShML “Ruzhdi Berisha” në Dragash u mbajt sot një takim i veçantë me nxënësit e klasave të dhjeta (10/1, 10/2 dhe 10/5), i organizuar nga Policia e Kosovës – Stacioni Policor në Dragash. Qëllimi i këtij takimi ishte informimi dhe ndërgjegjësimi i të rinjve lidhur me ngacmimet seksuale dhe pasojat e tyre, si dhe rreziqet e ngacmimeve kibernetike që lidhen me përdorimin e pakontrolluar të rrjeteve sociale.
Në takim morën pjesë rreshteri Imet Hasani, zyrtari i inteligjencës Lulzim Berisha, polici i komunitetit Maliq Ahmeti dhe zyrtarja në operativë Someja Shaniu, të cilët ndanë me nxënësit informacione të rëndësishme mbi pasojat ligjore të këtyre veprimeve. Rreshteri Hasani theksoi se ngacmimet seksuale dhe kibernetike janë të dënueshme me ligj, duke paraqitur sanksionet që variojnë nga gjoba deri në disa vite burgim, sipas rastit. Ndërkohë, zyrtari i inteligjencës Berisha vuri në pah rëndësinë e mbledhjes së informacioneve dhe bashkëpunimit ndërmjet nxënësve, shkollës dhe policisë për parandalimin e rasteve të dhunshme në shoqëri.
Policia e Kosovës ndau shembuj konkretë, këshilla praktike dhe udhëzime për mënyrat e raportimit të rasteve të tilla, duke theksuar rëndësinë e respektit, sigurisë dhe mbrojtjes së dinjitetit të secilit individ. Drejtoria e shkollës falënderoi Policinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre në edukimin e nxënësve, si dhe nxënësit për pjesëmarrjen aktive dhe interesimin e treguar.
©TVOPOJA