
Sot në Lipjan, Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, priti në takim Kryetarin e Komunës së Dragashit, z. Bexhet Xheladini, ku u zhvillua një bashkëbisedim i frytshëm mbi çështje që lidhen me qeverisjen lokale.
Kryetari Ahmeti falënderoi homologun e tij për vizitën dhe theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave ndërmjet dy komunave, duke nënvizuar se gjatë këtyre viteve Lipjani është fokusuar në realizimin e projekteve konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillim ekonomik. Ai shtoi se investimet e qëndrueshme në infrastrukturë, arsim dhe shëndetësi do të vazhdojnë të jenë prioritet.
Nga ana tjetër, Kryetari i Dragashit, z. Bexhet Xheladini, falënderoi për mikpritjen dhe vlerësoi zhvillimet e arritura në Komunën e Lipjanit, e cila ka shënuar progres të dukshëm në realizimin e projekteve në shërbim të qytetarëve, duke u bërë një shembull i mirë i qeverisjes lokale.
Takimi u cilësua si një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit ndërkomunal dhe shkëmbimit të përvojave për të avancuar më tej qeverisjen lokale në shërbim të qytetarëve.
©TVOPOJA