Bashkëshorti i presidentes Osmani, Prindon Sadriu, përmes një postimi në facebook ka përdorur një gjuhë urryese ndaj mediave duke i quajtur ato “Ndërmarrje të Përbashkëta Kriminale.

Sadriu ka reaguar duke e shpërndarë reagimin e këshilltarit të Presidentes, Bekim Kupina, dhe duke sulmuar mediat. Ai po ashtu ka thënë se me këto publikime po mundohet të “njolloset puna e Presidentes”.

“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijera dollarë). Bileta avioni First Class e rrallë herë Business Class. Për Economy as që flitej. Ju nuk keni lënë gjë publike pa keqpërdorë”, shkruan Sadriu.

“Dhjetëra miliona euro keqpërdorime të qytetarëve përmes të cilave keni blerë televizione, portale e paguani ‘qepues’ për t’u munduar ta njollosni punën e ndershme të Presidentes. Për juve shteti është vetëm mjet për mbrojtjen e interesave biznesore e kriminale. Kaq!”, përfundon ai.

Për këtë gjuhë të Zotëriut të Parë në drejtim të mediave dhe gazetarëve duhet së pari të reagojë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, më pas edhe organizata tjera që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe të mediave, liri kjo e garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventat Ndërkombëtare.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përgjatë kohës sa ishte deputete e Parlamentit, përgjatë viteve 2011-2014 ishte kompensuar me rreth 4 mijë euro nga shteti për rrugëtimin e saj, kinse nga Mitrovica. Sepse ish-deputetja ishte regjistruar si nga ky qytet se do të udhëtonte…

E pas raportimeve të mediave, bazuar në listën zyrtare të shpenzimeve, të publikuara nga Kuvendi i Kosovës, reagoi këshilltari i saj, Bekim Kupina i cili duke dashur të sulmojë mediat, po del në kundërshtim me një status të vet shefes së tij, në vitin 2020.

Në atë kohë, Osmani kishte treguar se që nga viti 2012, bashkë me burrin dhe vajzat e saj banon në një banesë një dhomëshe në Prishtinë. Ndërkohë që Kupina tha se presidentja aktuale përgjatë mandatit si deputete gjysmën e vitit kishte udhëtuar nga Gjilani.

Në listën me shpenzime të të gjitha viteve, prej 2011 që e ka publikuar nga Kuvendit figurojnë edhe kompensimet e bëra për ish-deputeten Osmani. /Demokracia.com/