
Shoqata e Afaristëve “Sharri” ka filluar një cikël takimesh me fermerët e Komunës së Dragashit, duke u fokusuar në identifikimin e problemeve dhe kërkesave të tyre.
Në takimin e parë, që u mbajt dje, u diskutuan sfidat me të cilat ballafaqohen fermerët, si mungesa e mbështetjes institucionale, vështirësitë në plasmanin e produkteve, subvencionet, si dhe nevoja për kushte më të mira infrastrukturore dhe teknike.
Qëllimi i këtyre takimeve është që pas përfundimit të gjithë procesit, të përpilohen konkluzione dhe kërkesa të përbashkëta, të cilat do t’u drejtohen institucioneve përkatëse në nivel lokal dhe qendror. Kjo pritet të ndihmojë në adresimin e problemeve konkrete dhe në krijimin e politikave më të përshtatshme për zhvillimin e bujqësisë në Dragash.
Takimet do të vazhdojnë edhe ditët në vijim me grupe të tjera fermerësh, në mënyrë që të përfshihet një gamë sa më e gjerë e zërave të bujqve të komunës.
Ky proces është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit mes sektorit privat dhe fermerëve, duke synuar zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik dhe social për Dragashin.
©TVOPOJA