
Shkolla e Mesme e Lartë “Ruzhdi Berisha” në Dragash tashmë është pasuruar me një kabinet modern të infermierisë, duke ofruar kushte shumë më të avancuara për mësimdhënie praktike dhe ngritje të cilësisë arsimore për nxënësit e drejtimit shëndetësor.
Ky projekt u realizua në kuadër të programit “Stabilizimi i Komunitetit”, i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim, dhe i implementuar nga organizata ndërkombëtare IOM në bashkëpunim me Zyrën për Komunitete dhe Kthim të Komunës së Dragashit.
Kabineti është pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme mjekësore dhe didaktike që do t’u mundësojnë nxënësve zhvillimin e aftësive praktike në përputhje me kërkesat bashkëkohore të arsimit profesional. Vlera e pajisjeve arrin në 12,000 euro.
Përveç pajisjeve, Komuna e Dragashit ka përfunduar procedurat e prokurimit dhe ka ndarë edhe 6,000 euro shtesë për rinovimin e hapësirave të kabinetit, ku përfshihen: vendosja e pllakave të keramikës, gëlqerosja, rregullimi i ujësjellësit, kanalizimi dhe ndriçimi.
Kabineti u vizitua sot nga nënkryetari i komunës nga radhët e komuniteteve, z. Fejsal Halilović, shefi i Zyrës për Komunitete z. Uzair Hamza, përfaqësues të IOM-it dhe përfaqësues të tjerë institucionalë, të cilët vlerësuan rëndësinë e këtij projekti në përgatitjen e brezave të rinj për tregun e punës dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore profesionale në të ardhmen.