
Me rastin e shënimit të 11 Tetorit – Ditës Ndërkombëtare të Vajzave, në Shkollën e Mesme të Lartë “Ruzhdi Berisha” në Dragash u zhvillua një aktivitet i veçantë me vajzat maturante të të dy komuniteteve, në kuadër të përpjekjeve për fuqizimin e tyre dhe promovimin e mundësive të barabarta në karrierë.
Takimi u organizua nga zyrtarja komunale për barazi gjinore, znj. Lindita Piraj, me pjesëmarrjen e një ekipi të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilat ndanë përvojat e tyre personale dhe profesionale me vajzat e shkollës. Në mesin e pjesëmarrëseve ishin znj. Qamile Thaçi nga Ministria e Mbrojtjes, si dhe pjesëtaret e FSK-së: Donjetë Krasniqi, Mimoza Terziu dhe Burgju Arapiç, të cilat folën me pasion dhe sinqeritet për rrugëtimin e tyre në shërbim të vendit.
Mesazhi i tyre ishte i qartë: vajzat duhet të guxojnë, të ëndërrojnë dhe të synojnë karriera që tradicionalisht janë parë si të rezervuara për meshkujt. Me shembuj konkretë dhe fjalë inkurajuese, ato i nxitën maturantet të shohin me ambicie mundësinë e vazhdimit të rrugëtimit të tyre në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Takimin e përshëndeti edhe Kryetari i Komunës së Dragashit, z. Bexhet Xheladini, i shoqëruar nga Kryesuesja e Kuvendit Komunal, znj. Arjeta Skeraj dhe Drejtori i DKA-së, z. Zeni Krasniqi. Të gjithë shprehën mbështetjen e tyre të plotë për fuqizimin e vajzave dhe për promovimin e barazisë gjinore në të gjitha fushat e jetës, përfshirë edhe sektorin e sigurisë.
©TVOPOJA