Sot në Dragash u organizua një manifestim solemn për nder të 77-vjetorit të themelimit dhe Ditës së Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Fetah Sylejmani”. Programi festiv nisi me homazhe pranë varrit të dëshmorit Fetah Sylejmani, emrin e të cilit e mban me krenari kjo shkollë, në varrezat e dëshmorëve në Dragash.
Në këtë ceremoni nderimi morën pjesë nxënës dhe mësimdhënës të shkollës, familjarë të dëshmorit, përfaqësues të institucioneve komunale, mysafirë nga Malësia e Madhe, si dhe struktura të ndryshme nga institucionet dhe organizatat vendore raporton Televizioni Opoja. Të gjithë së bashku shprehën respektin dhe mirënjohjen për veprën dhe sakrificën e Fetah Sylejmanit.
Pas homazheve, manifestimi vazhdoi në ambientet e Shtëpisë së Kulturës në Dragash. Para një numri të madh të pranishmëve, drejtori i shkollës, z. Flurim Qengaj, mbajti një fjalë rasti, ku shprehu mirënjohjen më të thellë për dëshmorin e kombit dhe uroi nxënësit dhe mësimdhënësit për këtë ditë të veçantë. Ai gjithashtu prezantoi historikun e pasur të shkollës, arritjet e saj dhe sukseset që kjo institucion arsimor ka shënuar ndër vite.
Fjalë rasti mbajtën edhe kryetari i komunës së Dragashit dhe drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, të cilët përgëzuan shkollën për arritjet e saj dhe shprehën respekt të thellë për familjen dhe figurën e dëshmorit Fetah Sylejmani.
Mysafirët nga Malësia e Madhe, të pranishëm në manifestim, sollën urime dhe dhurata për nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës, duke dëshmuar lidhjet e forta të bashkëpunimit dhe respektit ndërmjet komuniteteve.
Manifestimi u përmbyll me një program të pasur artistik të përgatitur enkas për këtë ditë festive, ku nxënësit e shkollës “Fetah Sylejmani” interpretuan poezi, këngë dhe valle tradicionale, duke e bërë këtë ngjarje edhe më madhështore dhe emocionuese.
©TVOPOJA