Dje, në ambientet e restorantit Natyra, u shënuan “Ditët e Brezit të Gjelbërt Evropian”, një aktivitet i realizuar në kuadër të projektit “Fuqizimi i komuniteteve në rajonin e Malit Sharr për menaxhimin e qëndrueshëm të Brezit të Gjelbër Evropian”, nga grupi lokal i veprimit “LAG SHARRI”.

Pjesë e këtij aktiviteti ishin institucionet qendrore dhe lokale, OJQ-të për mbrojtjen e mjedisit, si dhe partnerët që kanë bashkëpunuar në realizimin e shumë aktiviteteve. Para të pranishmëve, Hasim Kryeziu nga grupi lokal i veprimit njoftoi për të gjitha aktivitetet që janë mbajtur si pjesë e këtij projekti, ndërsa në një fjalë rasti, të pranishmit e tjerë uruan për këto aktivitete dhe shprehën mbështetje dhe mirënjohje për organizatorët.

Ky manifestim u pasurua me performancën e Shoqërisë Kulturore Artistike Bresana, si dhe nxënësve të shkollave “28 Nëntori” dhe “Ilmi Bahtijari”.

Në përmbyllje të aktivitetit, u shtrua edhe sofra me ushqime tradicionale Opojane, ndërsa për shkak të motit të lig, u anulua vizita në pikën turistike në Gjerman të Zgatarit që ishte paraparë me agjendë.

©TVOPOJA