Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, sot në një takim kanë kërkuar nga ambasadori kinez në Beograd, Li Manchang, të përcjellë zhvillimet e fundit midis Serbisë dhe Kosovës te lidershipi kinez dhe se “vendi kurrë nuk ka qenë në një situatë më të vështirë”, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Serbia kurrë nuk ka qenë në një situatë më të vështirë, pavarësisht thirrjeve të saj të vazhdueshme për paqe dhe stabilitet, bashkë me qasjen serioze dhe të përgjegjshme për zgjidhjen e të gjitha problemve”, thuhet në një njoftim nga presidenca serbe.
“Inkursioni i njësisë ROSU në veri të Mitrovicës ka treguar se forcat e KFOR-it ose të NATO-s, kanë mashtruar qëllimisht publikun e gjerë dhe sot për të gjithë është e qartë se nën urdhrat e të cilëve dhe në bashkëpunim me të cilët forcat e përfaqësuesve të NATO-s kanë gënjyer”, tha Vuçiç.
Ambasadori kinez në Beograd, Manchang, tha se presidenti kinez Xi Jinping, do të informohet për gjithçka dhe se Serbia mund të llogarisë në mbështetjen e Kinës.
Kujtojmë se njësia policore e Kosovës mëngjesin e sotëm ka arrestuar katër serbë në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviçit, dy prej të cilëve zyrtarë policorë në veri të Mitrovicës.
64-vjeçari Ivanoviç, një politikan kyç në veri të Kosovës ku dominojnë serbët, në muajin janar u vra me armë zjarri në Mitrovicë. Në muajin shkurt, dy policë u arrestuan në hetimin mbi këtë rast.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por Beogradi këmbëngul se vendi “mbetet pjesë e Serbisë”. Që prej asaj kohe, mbeten tensionet midis shumicës etnike shqiptare të Kosovës dhe një pakice të vogël serbe në veri të vendit.
Kosova njihet nga mbi 100 vende të botës, përfshirë SHBA-të, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë dhe Turqinë, ndërsa Serbia, Rusia dhe Kina janë midis vendeve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.