Drejtues të Ministrisë së Infrastrukturës kanë pranuar se ende nuk ka ndonjë projekt konkret për ndërtimin e rrugës Prizren-Dragash-Tetovë. Ata kanë theksuar se autoritetet lokale në këtë plan kanë realizuar kontakte me disa investitorë të jashtëm dhe se kanë mbetur në biseda për të shikuar mundësitë e jetësimit të projektit me koncesion, transmeton TV OPOJA.
Ndërsa zyrtarët komunalë të Prizrenit që janë marrë me këtë çështje kanë bërë të ditur se ky projekt ka një kosto prej një miliard eurosh, në të cilin proces janë të ndërlidhur me shumë faktorë dhe se ai nuk mund të përmbyllet shpejt, por kërkon kohë për realizimin.
Ndërkohë edhe udhëheqësit e Komunës së Dragashit janë shprehur në favor të afrimit të lidhjeve rrugore me Maqedoninë dhe në këtë drejtim kanë ndarë mjete për vazhdimin e ndërtimit të rrugës nga ZaplluXha në drejtim të kufirit me shtetin fqinj.
Muaj më parë nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Lulzim Kabashi, ka sqaruar se projekti është i kushtueshëm dhe sipas tij për këtë arsye nuk mjafton vetëm angazhimi i Qeverisë lokale.Është projekt që kushton mbi një miliard euro, ka thënë Kabashi.