Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se kanë dërguar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa me pretendimin se votat e diasporës në komunën e Dragashit janë dërguar nga i njëjti person apo grup personash.

Krasniqi në Rubikon të Klan Kosovës tha se në rast se PZAP e refuzon këtë ankesë, ata do t’i drejtohen Gjykatës Supreme, transmeton Paparaci.

“Në Dragash është një situatë ky qytetarët e kanë dhënë verdiktin e tyre dhe kjo është validuar në një proces të rregull zgjedhor dhe ata kanë zgjedhur që ta vazhdojnë mandatin e kryetarit aktual Shaban Shabani, ndërsa është një numër i caktuar i fletëvotimeve që kanë ardhur me postë, të cilat nëse do të pranohen do ta përmbysin rezultatin”.

“Pra është e pakuptimtë që një numër i fletëvotimeve të cilat kanë ardhur në mënyrë të organizuar dhe që sipas të gjitha dyshimeve tashmë verifikohet ajo që ka qarkulluar si diskutim në Dragash në dy javët e fundit që është një organizim i një kompanie të caktuar që ka mbledhur fletëvotime të bashkëqytetarëve tanë, të bashkë atdhetarëve me prejardhje nga Dragashi dhe pastaj një njëri i vetëm, apo një grup i caktuar i kanë sjellë ato nga posta të caktuara të ndryshme, por kryesisht nga Austria dhe përkundër faktit që një numër i madh i dokumenteve nuk janë të banorëve të shtetit austriak është një çështje që mund ta dëmtojë shumë verdiktin qytetar dhe demokracinë”.

“Padyshim vullnetin e qytetarëve të Dragashit dhe mendojmë se ka bazë edhe për hetime nga ana e prokurorisë, sepse do të ishte vërtetë për keqardhje por edhe e papranueshme që një proces jashtëzakonisht i mirë zgjedhor e shembullor siç ishte ky proces të dëmtohej nga një formë e tillë e organizimit, e cila e shkelë drejtpërdrejtë legjislacionin në fuqi, sepse secili qytetar e ka të drejtën e votës individuale, personale dhe të pa cenueshme dhe të pandikuar” tha Krasniqi, njofton Klankosova.tv.

Kandidati i PDK-së në Dragash, Shaban Shabani, ishte në epërsi prej 47 votash sipas rezultateve preliminare, por ishin votat e diasporës ato që përmbysën këtë rezultat në favor të kandidatit të LDK-së Bexhet Xheladini.