
Në Dragash po mbahet Punëtoria Sindikale dyditore e organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) me përkrahjen e Solidarity Center, nga data 20–22 shkurt 2026. Në këtë ngjarje po marrin pjesë përfaqësues të federatave dhe shoqatave sindikale që janë pjesë e BSPK-së.
Punëtoria po zhvillohet si një proces i strukturuar, ku pjesëmarrësit po analizojnë gjendjen aktuale të organizimit sindikal, rolin dhe misionin e BSPK-së në zgjerimin e përfaqësimit, si dhe kornizën statutare për anëtarësim. Diskutimet kanë përfshirë përfitimet dhe obligimet që burojnë nga anëtarësia në konfederatë, sfidat në afrimin e federatave dhe shoqatave të reja, si dhe hartimin e planeve konkrete të komunikimit për rritjen e besimit dhe partneritetit ndërsindikal.
Në kuadër të punës në grupe po zhvillohen edhe simulime praktike të takimeve negociuese, me qëllim ndërtimin e ofertave të qarta dhe të argumentuara të bashkëpunimit. Ndërkohë, dita e dytë e punimeve është fokusuar në procedurat ligjore dhe statutare për themelimin e federatave të reja, dokumentacionin e nevojshëm për aplikim në BSPK, si dhe strategjitë për motivimin e shoqatave sindikale përmes argumentimit të përfitimeve, ndërtimit të besimit dhe ofrimit të mbështetjes organizative.
Ky proces synon të rrisë kapacitetet organizative dhe negociuese të strukturave sindikale, të forcojë unitetin brenda BSPK-së dhe të sigurojë një proces të rregullt, transparent dhe të qëndrueshëm të zgjerimit sindikal, në përputhje me Statutin dhe legjislacionin në fuqi.
Me këtë punëtori, BSPK riafirmon përkushtimin e saj për promovimin e dialogut social, mbrojtjen e të drejtave ekonomike e sociale të punëtorëve dhe ndërtimin e një lëvizjeje sindikale të pavarur, të përgjegjshme dhe të fuqishme në Republikën e Kosovës.
©TVOPOJA