Gjatë rikthimit nga Shqipëria, ku Presidentja e Republikës së Kosovës znj. Vjosa Osmani ishte pjesë e manifestimeve për nder të 28 Nëntorit, ajo u ndal në Komunën e Dragashit për të shijuar bukuritë e saj dhe për të uruar kryetarin për mandatin e dytë pas zgjedhjeve komunale.
Në Dragash, Presidentja u prit nga kryetari i komunës së bashku me një pjesë të stafit komunal, ku zhvilluan edhe një takim të gjatë në zyrën e kryetarit. Në fund të takimit pati kohë edhe për dhurata dhe fotografi, për të vazhduar më pas me një prononcim para mediave lokale në hyrje të objektit komunal.
Gjatë këtij prononcimi, Presidentja e vendit theksoi se bukuritë natyrore të kësaj treve janë pasuri jo vetëm për dragashasit, por për gjithë Kosovën, duke veçuar turizmin malor si sektor me potencial të madh zhvillimi. Ajo siguroi se komuna dhe institucionet qendrore do të kenë përkrahjen e plotë për nisma të reja që synojnë shfrytëzimin dhe mbrojtjen e mençur të resurseve natyrore, duke hapur mundësi të reja për zhvillim ekonomik e shoqëror.
Ndërsa kryetari i komunës falënderoi Presidenten për vizitën, duke theksuar bashkëpunimin e deritanishëm, arritjet e katër viteve të fundit dhe sfidat që presin komunën.
“Rrugës nga Shqipëria u ndalëm këtu, në komunën e bukur të Dragashit, për të vizituar, siç bëjmë shpeshherë, bukuritë e rralla natyrore që kjo komunë ofron. Natyrshëm, meqenëse isha këtu, deshëm të ndalemi edhe në një takim me kryetarin, për ta uruar për mandatin e ri dhe për t’i uruar suksese si kryetarit, ashtu edhe gjithë ekipit të tij punëtor, të cilët vazhdimisht punojnë për interesat e qytetarëve të Dragashit.
Ka shumë fusha në të cilat ne si Presidencë kemi bashkëpunuar shumë mirë me kryetarin dhe ekipin e tij gjatë këtyre viteve, dhe natyrshëm biseduam edhe për shumë prej mundësive që do të mund të arrihen për qytetarët në vitet që vijnë. Më e rëndësishmja është se besoj që nga potenciali që ofron Dragashi nuk përfitojnë vetëm qytetarët e kësaj komune, por e gjithë Kosova. Ka bukuri të jashtëzakonshme natyrore që kërkojnë zhvillim, që kërkojnë përkrahje, dhe natyrshëm këto ishin disa prej temave që diskutuam. Dragashi do ta ketë përkrahjen tonë të plotë në këto segmente.
Ne duhet të presim krijimin e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të ardhshme që do të mbahen në dhjetor. Në momentin që krijohen këto institucione, ka nevojë të ndërmerren një sërë iniciativash, për të cilat ne po merremi me kryetarin prej një kohe të gjatë, ndër të tjera edhe ndryshime në legjislacion. Por unë mendoj se turizmi malor është një prej sektorëve që mund t’i japë më së shumti Kosovës. Zoti i ka falur Kosovës bukuri të jashtëzakonshme natyrore; tani duhet që ato të shfrytëzohen me mençuri, të mbrohen me mençuri dhe njëkohësisht të japin potencial për zhvillim.
Shumë nga idetë që diskutuam mendoj se janë të besueshme, të realizueshme, por natyrisht kërkohet edhe shumë punë, të cilën jam e bindur se edhe Komuna e Dragashit, edhe institucionet qendrore do ta përkrahin.” u shpreh znj. Osmani
Ndërsa kryetari i komunës vazhdoi:
“Dua të shfrytëzoj rastin që, në emrin tim personal dhe në emër të qytetarëve të Dragashit, ta falënderoj Presidenten për vizitën e sotme. Edhe pse qëllimi i parë i vizitës ishte që Presidentja të më urojë për mandatin e dytë si kryetar i komunës, ne e shfrytëzuam këtë vizitë edhe për biseda bilaterale.
Unë e njoftova dhe e informova shkurtimisht për të arriturat dhe punët që kemi bërë gjatë këtyre katër viteve, si dhe e falënderova për bashkëpunimin që kemi pasur me Presidenten gjatë kësaj periudhe. Poashtu biseduam edhe për sfidat që na presin në të ardhmen, për problemet që kemi pasur me qeverinë qendrore, si dhe për problemin më të madh që po e preokupon Kosovën — zgjedhjet dhe krijimi i institucioneve qendrore sa më shpejt që të jetë e mundur.”
©TVOPOJA