
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesin e numërimit të votave, duke përfshirë edhe pakot e vonuara nga diaspora. Rezultatet zyrtare kanë nxjerrë një fitues të qartë në nivel vendi, duke e renditur Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) të parën me 51.11% të votave, që përkthehet në 486,994 vota dhe 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Në vendin e dytë është pozicionuar Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.19%, ose 192,407 vota, duke siguruar 22 deputetë. Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka arritur të mbledhë 13.23% të votave, gjithsej 126,102 vota, që i japin 15 ulëse në Kuvend. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka arritur të kalojë pragun zgjedhor me 5.50%, duke siguruar 52,370 vota dhe 6 deputetë.
Pas këtij procesi pritet certifikimi i rezultateve dhe më pas formimi i qeverisë, të cilën Kosova e pret tash e një vit, që nga shkurti i vitit të kaluar. Ky moment shënon një kthesë të rëndësishme politike, pasi vendi ka qenë pa ekzekutiv funksional për një periudhë të gjatë.
Në zgjedhjet e fundit, Komuna e Dragashit ka reflektuar duke treguar ndryshime të dukshme në krahasim me zgjedhjet lokale të muajit të kaluar. Në nivel komunal, renditja e partive ka sjellë një tablo të re politike: LVV – 39.17% me 5,256 vota, e dyta LDK – 19.00% me 2,550 vota dhe si partia e tretë PDK – 17.30% me 2,321 vota në total.
Ky rezultat është veçanërisht domethënës, pasi vetëm një muaj më parë, në balotazhin e zgjedhjeve lokale, LDK kishte fituar bindshëm kundër një koalicioni të gjerë prej katër kandidatëve dhe partish. Ndryshimi i shpejtë i votuesve tregon se elektorati është i lëvizshëm dhe i ndjeshëm ndaj zhvillimeve politike në nivel qendror.
Kandidatët për deputet nga Komuna e Dragashit kanë pasur një rol të veçantë në këto zgjedhje, duke reflektuar mbështetjen e qytetarëve si në nivel lokal ashtu edhe në atë shtetëror.
Nga partitë kryesore, kandidatët e komunës së Dragashit kanë marrë këto rezultate:
Kandidati më i spikatur është Filiz Mustafa, i cili ka marrë 14,873 vota në nivel vendi, duke u bërë kandidati më i votuar ndonjëherë nga Dragashi. Megjithatë, renditja e tij aktuale në listën e LVV është e 76-ta, çka e ka penguar të sigurojë një ulëse në Kuvend.
Nga gjithsej 5,256 vota që LVV ka marrë në Dragash, vetëm 3,407 vota i janë dhënë kandidatit Mustafa, duke humbur rreth 1,800 vota brenda komunës. Ky fakt ka ndikuar ndjeshëm në mundësinë e tij për të hyrë në parlament.
Nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tre kandidatë kanë marrë mbështetje të konsiderueshme:
• Esra Myrtezani me 2,368 vota
• Samidin Xheladini me 2,297 vota
• Zeni Krasniqi me 1,782 vota
Nga Partia Demokratike e Kosovës, dy kandidatë kanë shënuar rezultate të rëndësishme në nivel vendi:
• Linda Nebiu me 3,562 vota
• Hamdi Muhameti me 3,454 vota
©TVOPOJA