Florian Dushi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në kuadër të subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar së fundi ndaj rastit të komunës së Dragashit dhe votimit përmes postës.
Ai në një status të publikuar në Facebook ka thënë se të gjithë ata mërgimtarë që kanë votuar përmes postës i janë nënshtruar procesit të verifikimit dhe këtu nuk ka fare dyshim për manipulim të votës.
Ky është statusi i tij në Facebook:
Zhurmë pa asnjë bazë. Tentim për të përbaltur procesin zgjedhor në një komunë me insinuata e improvizime.
Zgjedhjet në Dragash nuk përbëjnë përjashtim, procesi zgjedhor për këtë komunë është i njëjtë, plotësisht i rregullt sikur në gjithë Kosovën.
Ajo çfarë po shohim në media, paraqitje të niveleve të ndryshme të një partie politike, duke kontestuar rregullsinë e procesit zgjedhor, veçanërisht procesin e votimit me postë për këtë komunë, është e pasaktë dhe e pambështetur.
Votuesit nga jashtë i janë nënshtruar procesit të paraparë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës në përputhje të plotë, madje duke iu nënshtruar procesit paraprak të verifikimit nga na a e KQZ-së, me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregullat e KQZ-së.
Janë regjistruar suksesshëm dhe pastaj është përpiluar, votuar dhe certifikuar lista përfundimtare e votuesve nga jashtë, pa asnjë vërejtje nga përfaqësuesit e të gjitha partive politike në KQZ, unanimisht.
Një pjesë e tyre kanë votuar në raundin e parë. Sërish i janë nënshtruar procesit të verifikimit nga ana e KQZ-së. Votat e tyre janë numëruar dhe janë përfshirë, prap pa asnjë vërejtje nga askush, në rezultatin e raundit të parë të 17 tetorit në të gjitha komunat ashtu edhe në Komunën e Dragashit.
Së fundmi, 48 orë pas përfundimit të zgjedhjeve për raundin e dytë, kemi dëgjuar për herë të parë vërejtje lidhur me këtë proces, madje në mbledhjen e KQZ-së, përfaqësuesit e PDK-së kishin ndërtuar një tregim, nga këndvështrimi i tyre, dhe për “hesape” të tyre politike dhe elektorale lidhur me procesin e votimit nga jashtë për Komunën e Dragashit.
Madje provuan ta ndalin procesin e numërimit të këtyre votave, një proces i cili, ashtu siç u konfirmua gjatë asaj mbledhjeje të KQZ-së edhe nga vetë administrata e KQZ-së, ishte zhvilluar në përputhje të plotë me procedurat e parapara ligjore dhe rregullat e KQZ-së.
Paradoksalisht, në mbledhjen e njëjtë të KQZ-së në të cilën disa nga kolegët kishin ngritur shqetësime lidhur me këto vota për Komunën e Dragashit, për çfarë më pas edhe janë ankuar, ata kanë votuar “pro” certifikimit, pa asnjë vërejtje, për rezultatin e zgjedhjeve për Asamblenë Komunale të Dragashit, rezultat ky i cili përfshinte edhe votat me postë të cilat vetëm në raundin e dytë po kontestoheshin.
Përfundimisht, ky proces është zhvilluar brenda afateve të përcaktuara dhe sipas procedurave ligjore. I është nënshtruar verifikimit dhe konfirmimit nga ana e KQZ-së më shumë se njëherë dhe në faza të ndryshme. Është shqyrtuar edhe nga ana e PZAP-it sipas një ankese të një partie për të njëjtën komunë, ankesë të cilën ky organ e kishte hedhur poshtë si të pabazuar. Nuk është kontestuar nga askush, eëas nga kontestuesit aktual, në asnjë fazë dhe as në raundin e parë.
Prandaj, kjo e bënë fitoren e LDK-së në këtë Komunë plotësisht të rregullt dhe të ligjshme, ndryshe nga ato çfarë kemi dëgjuar këto ditë për procesin zgjedhor në këtë komunë e që përbëjnë spekulime të sponzoruara partiake, pa asnjë bazë dhe vetëm në një fazë të zgjedhjeve lokale, vetëm në raundin e dytë!