I lindur më 28.09.1959 në fshatin Zaplluxhë të rajonit të Opojës. Që nga hapat e parë të shkollimit, ai ka treguar përkushtim duke përfunduar shkollën fillore në vendlindje dhe më pas gjimnazin në Komunën e Dragashit. Studimet universitare në fushën e Ekonomisë dhe Kontabilitetit i kreu me sukses në Pejë.
Pas përfundimit të studimeve, ai nisi një karrierë si kontabilist, fillimisht në kompaninë e njohur shtetërore Dratex dhe më pas në burgun e qarkut në Prizren. Gjatë kësaj periudhe, z. Fetahu dëshmoi jo vetëm aftësi të jashtëzakonshme profesionale, por edhe guxim dhe integritet të lartë, veçanërisht në rrethana të vështira socio-politike.
Në vitin 1995, përballë presioneve dhe sfidave të shumta të shkaktuara nga agresioni serb, ai u detyrua të largohet nga Kosova. Si kontabilist dhe kryetar i sindikatës së Burgut të Qarkut në Prizren, ai u bë një zë i fuqishëm në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve, por rrethanat e vështira e detyruan atë dhe familjen e tij të kërkojnë azil politik në Gjermani. Aty vazhdoi të thellojë njohuritë dhe përvojën e tij profesionale, duke përfituar nga trajnimet dhe projektet e shumta në fushën e tregut të punës, me përkushtim të veçantë për shërbimet e punësimit.
Me përfundimin e luftës dhe me një dashuri të thellë për vendlindjen, u kthye në Kosovë në vitin 2000, i vendosur të kontribuojë për të ardhmen e vendit dhe familjen e tij. Ai nisi punën në Entin e Punësimit të Prizrenit, ku për më shumë se dy dekada me rradhë shërbeu si këshilltar i zyrës për punësim, duke ndihmuar qindra qytetarë të Prizrenit dhe më gjerë për të gjetur mundësi punësimi dhe për të përmirësuar jetët e tyre.
Me integritet të lartë profesional, urtësi dhe përkushtim, z. Fetahu ishte i palodhshëm në përpjekjet për zhvillimin ekonomik të rajonit, duke u bërë një pikë referimi për shumë të rinj e profesionistë të cilët kërkonin këshilla dhe mbështetje. Ai është njohur jo vetëm për ekspertizën e tij të thellë në fushën e Ekonomisë, veçanërisht në tregun e punës, por edhe për aftësinë e tij për të krijuar marrëdhënie të qëndrueshme me bashkëpunëtorët dhe qytetarët.
Përveç kontributit të tij profesional, z.Hasim Fetahu është gjithashtu një njeri familjar shembullor. Bashkëshort i zonjës Kimete Fetahu, një kontribuese e shquar në fushën e arsimit, si dhe baba i tre djemve të suksesshëm. Njëri prej tyre është kontabilist dhe programer i shquar, tjetri profesor i Gjuhës Gjermane, Historisë dhe Zhvillimit të Politikave në një gjimnaz të lartë në Vjenë të Austrisë, ndërsa i treti është profesor universitar në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, në fushën e lëndëve të teknologjisë informative.
Gjatë gjithë karrierës së tij, z.Fetahu ka fituar respektin e shumë qytetarëve me të cilët ka punuar. Njerëz si ai, që ndërthurin dijen, përkushtimin dhe humanizmin në çdo hap të jetës së tyre, janë shembuj frymëzimi për të gjithë ne. Me integritet të lartë dhe pasion për punën, ai është munduar gjithmonë për të ndihmuar në krijimin e një të ardhme më të mirë për shumë njerëz.
Në këtë ditë të pensionimit të tij, e falënderojmë për kontributin e jashtëzakonshëm dhe i urojmë z.Hasim Fetahut një pensionim të këndshëm, të mbushur me shëndet dhe gëzim pranë familjes së tij.
©TVOPOJA