Bashkatdhetares sonë Elona Kamberi e njohur si shqiptarja e parë që punon në një kabinet ministror austriak, këto ditë i është besuar udhëheqja e Task-forcës shtetërore austriake për implementimin e planit “Green Deal” të Komisionit Evropian në Austri. Ajo përfaqëson Austrinë në të gjitha mbledhjet koordinuese të kësaj fushe në Bruksel.
Shkruan: Demir Reshiti
Kohet e fundit gjithnjë e më tepër po na bëjnë të ndihemi krenarë të rejat e të rinjtë shqiptarë që me punën dhe angazhimin e tyre po e ngritin lart imazhin dhe emrin e popullit tonë. Janë shumë të rinj shqiptarë jashtë kufijve të cilët po na japin dinjitet dhe vëmendje në sytë e botës. Janë personalitete, fama e të cilëve kaloi kufijtë shqiptarë, duke ua treguar botes anën që nuk e njihte për ne, atë profesionale, humaniste, sportive e artistike…
Njëra nga to është Elona Kamberi, eksperte e politikave të mjedisit në Qeverinë e Austrisë. Që nga viti 2014 është e angazhuar si këshilltare politike nëpër kabinete të ndryshme të ministrave të Austrisë.
Filloi në Ministrinë e Bujqësisë dhe Mjedisit të Austrisë, një herë si anëtare e zyrës së ministrit e më pas edhe si zyrtare e lartë për komunikim me publikun, duke qenë kështu shqiptarja e parë (dhe nder të paktat e huaja) që kishte një detyrë të tillë të rëndësishme në qeverinë austriake. Aktualisht ajo punon në kabinetin e ministres austriake për Digjitalizim dhe Zhvillim Ekonomik.
Elonës këto ditë i është besuar udhëheqja e Task-forcës shtetërore austriake për zbatimin e planit “Green Deal” të Komisionit Evropian në Austri. Kjo Task-forcë është themeluar nga Kryeministria Austriake dhe grumbullon sektorë të ndryshëm të politikës, ekonomisë dhe shoqërisë civile të cilët janë të interesuar në transformimin e një shoqërie dhe ekonomie më miqësore ndaj mjedisit jetësor. Si drejtuese e kësaj Task-force, Elona përfaqëson Austrinë në të gjitha mbledhjet koordinuese të kësaj fushe në Bruksel.
Është e lindur në fshatin Blaç të Opojës ku e ka përfunduar edhe shkollimin fillor.
Në vitin 2004 emigroi në Vjenë të Austrisë. Në kryeqytetin austriak vazhdoi gjimnazin dhe studimet bachelor në drejtimet shkenca politike dhe komunikim transnacional në gjuhet gjermanisht, anglisht dhe italisht. Magjistroi në Komunikim Politik në Vjenë dhe në Bruksel ku si fokus kishte mënyrat e komunikimit të interesave ambientaliste ndaj institucioneve politike. Punimi i saj i magjistraturës u shpall si më i miri i vitit 2019 për degën e Shkencave te Komunikimit Masiv të Universitetit të Vjenës, dhe si i tillë do të prezantohet edhe në Simpoziumin Shkencor të Universiteteve të Austrisë në maj të këtij viti! Elona gjithashtu ka përfunduar edhe studime pasuniversitare për komunikim politik dhe mbrojtje të ambientit në Akademinë Qeveritare të Austrisë.
Karrierën profesionale e filloi si asistente për projekte shkencore në Universitetin e Vjenës. Në vitin 2012 filloi punën si gazetare në gazetën prestigjioze Austriake “Die Presse” ku punoi për dy vite në redaksinë për politikë të jashtme. Në vitin 2014 filloi punën si koordinatore për marrëdhënie ndërkombëtare në kabinetin e ministrit të bujqësisë dhe mjedisit, Andrä Rupprechter. Nga viti 2015 – 2017 punoi si zyrtare e lartë për komunikim publik në po këtë Ministri ku e udhëhoqi redaksinë e Departamentit për Komunikim me Media.
Nga janari i vitit 2018 është këshilltare e veçantë për çështjet e mbrojtjes së mjedisit në Ministrinë për Digjitalizim dhe Zhvillim Ekonomik të Austrisë. Aktualisht ka marrë përsipër udhëheqjen e Task-forcës shtetërore austriake për implementimin e Planit Green Deal të Komisionit Evropian në Austri. Ky plan ka për qellim që ta bëj Evropën kontinent të parë pa emisione klimatike deri në vitin 2050.
Në tetor të vitit 2017, Elona Kamberi, në cilësinë e zyrtares së lartë për komunikim publik në Ministrinë e Bujqësisë dhe Mjedisit të Austrisë (shqiptarja e parë që punon në një kabinet ministror austriak), është dekoruar nga ministri Rupprechter me çmim special për kontributin e saj në projektin më të ri për zhvillim rural në Austri!
Elona është shembulli i një vajze shqiptare, inteligjente, modeste, shumë e zonja.
Në këtë vegëz mund ta ndiqni një kronikë kushtuar Elonës të transmetuar në RTK në vitin 2014. Kronika është përgatitur nga gazetari Ragip Rama: