Shkruan: Dr. Xhasim el-Mutawa’ ‎

I kam pyetur njerëzit e mbledhur rreth meje për dhuratën më të mirë që mund t’ua dhurojmë ‎fëmijëve tanë. Mendimet e tyre për këtë ishin të ndryshme. ‎
Njëri prej tyre tha: “Dhurata më e mirë është tu japim atyre të holla, që ata të disponojnë me to ‎si të duan vetë.” ‎
Një tjetër tha: “Unë mendoj se dhurata më e mirë për ta është që tu bëjmë një surprizë duke ‎ua vendosur një dhuratë të vogël në një kuti të madhe.” ‎
I treti tha: “Më së miri është t’i marrim ata në një qendër tregtare dhe tu themi atyre: “Atë që sot ‎e blini, e keni dhuratë nga unë.”‎
Idetë filluan të vijnë nga të gjitha anët për llojet e dhuratave, për formën dhe mënyrën e ‎dhënies së tyre për fëmijët.‎
Unë i shikova dhe u thashë atyre: “Por një dhuratë për të cilën unë po mendoj është e ‎ndryshme nga ajo që keni thënë.”

Ata më shikuan me habi, pastaj unë u thashë atyre: “Unë do t’ju them se çka mendoj në lidhje ‎me dhuratën më të mirë për fëmijët, por pas një tregimi që do t’ua tregoj.”‎
Një herë, një baba planifikoi të dilte nga shtëpia, kurse djali i tij 7 vjeçar po qëndronte në derë. ‎Djali e pyeti babain: “Babi, ku po shkon?” Babai me nervozizëm iu përgjigj: “Ky nuk është ‎problemi yt as puna jote!” Pastaj e shtyu djalin e tij dhe u largua nga shtëpia.‎
Kur u ul në makinë, e ndjeu brejtjen e ndërgjegjes, dhe përsëri u kthye në shtëpi. Në shtëpi e ‎gjeti djalin duke qarë në dhomën e tij. Iu afrua dhe i kërkoi falje, kurse djali e pyeti: “Baba, sa ‎kushton një orë kohë në punën tënde?”‎

Babai, i befasuar që biri i tij i bëri një pyetje të tillë, u përgjigj: “15 dinarë”.‎
Djali shpejt u ngrit, e mori portofolin e tij, i mori 15 dinarë dhe ia dha babait, duke i thënë: ‎‎”Babi, unë dua ta blej një orë të kohës tënde, që sot të vish më herët në shtëpi, që të mund të ‎hash darkë me ne, sepse qysh moti nuk ke ngrënë darkë së bashku me ne.”‎
Babai u trondit nga reagimi i djalit të tij. U shkreh në vaj dhe e përqafoi djalin, duke i thënë: ‎‎”Lëri paratë në portofolin tënd, unë do të vij që të hamë darkë së bashku.”‎
Pastaj doli nga shtëpia duke menduar për jetën e tij dhe për familjen e tij.‎
Kur e mbarova tregimin, iu ktheva atyre rreth meje dhe u thash: “Koha është dhurata më e ‎çmuar dhe më e rëndësishme që ne ua japim fëmijëve tanë. Ne shpesh e injorojmë dhe nuk ‎mendojmë për të. Çdo minutë e kaluar me fëmijët tanë i bën ata që të ndjehen të sigurtë, të ‎rehatshëm dhe të inkurajuar. Dhe sa herë që fëmijët ta ndjejnë erën tuaj në shtëpi, edhe nëse ‎ju nuk bëni asgjë me ta, ata ndjejnë fuqi, besim, stabilitet dhe dashuri.”‎
Me këtë rast dua ta përmend një mik, i cili më ka thënë se një ditë ai ishte kthyer në shtëpi më ‎herët se zakonisht që të rrinte me fëmijët e tij (ai ka katër fëmijë).

Kur hyn në shtëpi, i sheh ‎fëmijët duke luajtur me njëri-tjetrin, kështu që e merr një libër për të lexuar pranë tyre. Pas dy ‎orësh, ai ndjeu se nuk po ju duhej dhe se ata ishin të përkushtuar ndaj lojës së tyre. U nis ‎drejt derës për tu larguar nga shtëpia, por kur e vuri dorën në dorezë, drejt tij vrapoi vajza e ‎vogël 5 vjeçare, e cila e pyeti: ”Baba, ku po shkon?” ‎
Ky i përgjigjet: “Desha të dal pak për shëtitje.” ‎
Ajo i tha: “Jo, por ulu me ne.” ‎
Ai i thotë: “Por unë qëndrova ulur në shtëpi për dy orë dhe asnjëri prej jush nuk e foli asnjë ‎fjalë me mua.” ‎
Ajo e shikoi dhe i tha: “O baba, kur ne luajmë në praninë tënde dhe kur të shikojmë kohë pas ‎kohe, ne jemi të lumtur.”‎
Babai u prek nga fjalët e saj dhe u kthye në shtëpi. //saff.ba//‎

Përkthim: Miftar Ajdini