Të dashur nxënës,
Te dashur mësimdhënës,
Të nderuar prindër,

Edhe pse po përballemi me këtë pandemi më lejoni që t’ju uroj përzemërsisht 51 vjetorin e shkollës tuaj e cila me nder të madh mban emrin e profesorit të çmuar dhe të dëshmorit Ruzhdi Berisha.
Ruzhdi Berisha ishte një arsimdashës i urtë në kohë të egra. Ai me gjithë diapazonin e diturive që posedonte thuajse në çdo aspekt dhe lëmi, i shërbeu në mënyrë të palodhur për 23 vite këtij gjimnazi, i cili u themelua në vitin shkollor 1969-70 nga arsimdashësi Iljaz Vehapi dhe për gjysëm shekulli rrugëtim akademik nxori në dritë shumë gjenerata të suksesshme.
Natyrisht se duhet t’u jemi falënderues të gjithë mësimdhënësve të cilët me dekada të jetës së tyre kontribuan në edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj, duke filluar nga Qazim Berisha, Sadik Kryeziu, Esat Krasniqi, Nysret Skeraj, Hajriz Meleqi, Fejzullah Tërshnjaku, Rami Shaqiri, Gazi Hulaj, Bajram Berisha, Selajdin Hulaj, Neshat Cenaj, Eqrem Tërshnjaku, Nazim Osmani, Xhevdet Ibrahimi, Halim Shemsidini, Hashim Jakupi, Fikri Misini, Shahadin Tërshnjaku, Hajri Ramadani, Ismet Lecaj e shumë të tjerë.
Ne të gjithë po synojmë që të mbetet kjo shkollë tempulli më i lakmuar dhe më i frekuentuar, ku të rinjtë do të arrijnë t’i prekin ëndrrat e tyre për të ardhmen.
Urime për këtë gjysëmshekulli dritë e dituri

Faleminderit