Posedimi i paligjshëm i armëve paraqet një problem serioz në fushën e sigurisë së përgjithshme dhe në mënyrë direkte kërcënon jetën e qytetarëve.
Sipas një analize të bërë nga UNDP-ë, në Kosovë janë diku mbi 200 mijë armë në duart e qytetarëve.
Ministria e Punëve të Brendshme ka harmonizuar shumicën e kornizës ligjore për sa i përket fushës së armëve në përputhje me Strategjinë Kombëtare për kontrollimin e armëve të vogla dhe të lehta. Zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, u shpreh se çështja e rregullimit të armëve ilegale është duke u përmirësuar nga viti në vit. Mirëpo, sipas tij, përdorimi i armëve ilegale në grabitje, në rastet e dhunës në familje dhe dhunës nëpër shkolla, janë bërë shqetësuese.
Rastet e fundit të grabitjeve të dhunës në familje, dhunës nëpër shkolla është bërë shqetësim për qytetarët tanë. Policia e Kosovës çdo vit konfiskon mbi 1 mijë armë.
Dukuri tjetër shqetësuese është edhe përdorimi i armëve të paligjshme nëpër ahengje. Gazmend Hoxha, nga Divizioni për Rend dhe Siguri Publike në Policinë e Kosovës, thotë për Radio Kosovën se PK gjatë gjithë sezonit të verës ndërmerr operacione të veçanta që të mos ketë të shtëna me armë nëpër ahengje.
Armët e konfiskuara, e që nuk legalizohen ato shkatërrohen. Ndërkaq, që nga pas lufta e deri më tani Policia e Kosovës ka shkatërruar mbi 11 mijë armë.