Në Dragash, për nder të Ditës Botërore të Ushqimit, është organizuar panairi ” Promovimi i bio produkteve të Sharrit”, nga OJQ ” Ambienti”.
Menaxheri i OJQ ” Ambienti”, Reshat Reshiti, tha se qëllimi i organizimit të panairit me fermerë lokal të Dragashit, ka për synim promovimin e produkteve të qumështit, mishit dhe të tjera, dhe se kjo komunë të jetë ekologjike për cilësitë e produkteve tradicionale që posedon.
Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe drejtori për Kulturë, Rini e Sport në Dragash, Lirim Hajredini, i cili e vlerësoi të rëndësishme këtë ngjarje që sipas tij i ka munguar kësaj komune, duke ofruar mundësi për prezantimin e produkteve të fermerëve lokal.
Pronari i Qumështores ” Sharri”, Alemi Hajredini, gjithashtu e vlerësoi të rëndësishëm organizimin e këtij panairi në promovimin e produkteve cilësore të këtyre fermerëve, të cilët presin më shumë mbështetje nga institucionet qeveritare për zhvillimin e sektorit të bujqësisë.
Sipas organizatorëve, ky panair pritet që në të ardhmen të jetë tradicional, dhe se në kushte më të favorshme me largimin e pandemisë, numri i fermerëve pjesëmarrës të jetë edhe më i madh.