Shkruan Muharrem Qafleshi
Sot me 7 Nëntor, në ambientet e Shkollës së Mesme të Lartë “Ruzhdi Berisha” në Dragash u mbajt promovimi i disa librave nga krijimtaria letrare e shkencore e Bedri Halimit.
Për librin HAXHI YMER PRIZRENI-figurë e shquar e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, një përmbledhje të shkurtër për rëndësinë historike e mbajta unë si redaktor i këtij libri!
Tekstin e lexuar po e jap në tërësi!
Përshëndetje, të nderuar pjesëmarrës!
Dëshiroj t’ju përshëndes në formë të veçantë gjithsecilin prej jush, pasi është shumë e rëndësishme prania juaj referuar promovimit të librave të botuar nga autori Bedri Halimi.
Natyrisht që një përshëndetje të veçantë mirëseardhjeje ia dëshirojë mysafirëve nga Shqipëria: prof. dr. Ramazani Bogadanin dhe prof.dr. Rovena Vatën.
Po ashtu i përshëndes edhe profesorët e nderuar prof. dr. Begzat Baliun dhe Sabahudin Cenën.
Të nderuar pjesëmarrës,
Sot kamë nderin dhe kënaqësinë të flas për librin e Bedri Halimit, “Haxhi Ymer Prizreni, figurë e shquar e lëvizjes kombëtare shqiptare, autori Bedri Halimi është opojolog, ngase këtë epitet e meriton më shumë se çdo historian, etnograf, arkeolog, gjuhëtar e gjeograf që është marr me Opojën dhe Sharrin në përgjithësi, ngase ky autor ka shkruar në mënyrë shkencore dhe profesionale sidomos për trevën e Opoës dhe Sharrit.
Ai ka shkruar mjaft vepra të rëndësishme për historinë dhe trashëgiminë historike dhe kulturore të komunës së Sharrit nga lashtësia deri në kohën moderne të Opojës e Sharrit.
Vepra për Haxhi Ymer Prizrenin ka një karakter të theksuar historik. Dhe kjo kuptohet lehtë, kur kemi parasysh faktin se autori, para se të shkruante këtë vepër kapitale për figurën me të ndritur dhe të çmuar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, si njohës i mirë i historisë kombëtare, shkroi në mënyrë mjeshtërore për jetën dhe veprën e kryetarit të parë të qeverisë të dalë nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ngase kishte shfletuar me hollësi të gjitha dokumentet arkivore dhe bibliografike historike, disa prej të cilave edhe i ka dhënë shkurtimisht në libër si: Qemal Mataj, “Monografi për Kryetarin e Qeverisë së Parë Shqiptare;
Një botim nga ART CLUB i qytetit të Ulqinit, të titulluar “Vepër për ndriçimin e jetës dhe veprimtarisë së Ymer Prizrenit;
Nga tribuna shkencore “Dritë e re për kryetarin e parë të Shqipërisë etnike” mbajtur në Instituti Albanologjik, dega e historisë në Prishtinë me 12 qershor 2002;
Pastaj nga dr. Muhamet Pirraku, Myderriz Ymer Prizreni”; nga autori Ahmet Drini “Haxhi Ymer Prizreni në kujtimet e familjarëve të tyre, i shoqëruar edhe me poezi kushtuar kësaj figurë të Madhe, etj.
Lexuesi shqiptar, duke e lexuar këtë libër, do të gjendet i zhytur në historinë kombëtare të figurës emblematike të kryetarit të parë të Qeverisë se shtetit të parë shqiptar, “Haxhi Ymer Prizrenit”, ndërsa vlerat historike e bëjnë këtë libër mjaft të dobishëm për çdo lexues shqiptar e sidomos opojan, kur kihet parasysh origjina opojane kësaj figure kombëtare.
Autorin e këtij libri zotëri Bedri Halimin, Zoti e bekoftë më të gjithë të mirat e kësaj bote.