Ditë më parë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik u njoftuam se vaksinat e gripit sezonal, kanë arritur në Kosovë dhe se do të imunizohen grupet më të rrezikuara të popullatës në shtetin tonë.

Një sasi nga këto vaksina pasditën e djeshme ka arritur edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare të komunues së Dragashit, ndersa nga mëngjesi i sotëm filloi imunizimi i kategorive më të rrezikuara të popullatës nga gripi sezonal.

Në një prononcim për televizionin Opoja drejtori i QKMF-së në Dragash Dr Ramadan Jashari, tha se vaksinat kundër gripit sezonal, të cilat do të përdoren sivjet, sipas rekomandimeve të bëra nga OBSh, do të jenë katër shtamëshe dhe si të tilla e rrisin fuqinë mbrojtëse ndaj virusëve më agresivë në qarkullim të gripit sezonal.

Dr Ramadani theksoi se vaksinimi është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga gripi sezonal dhe se imunizimit nga ky grip do t’i nënshtrohen personat me sëmundje kronike, personat në moshë të shtyer dhe personat e tjerë me rrezikshmëri të lartë për infeksion.

Ndërsa Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i siguron qytetarët se po e monitoron me kujdes situatën epidemiologjike në vend dhe ka rritur vigjilencën për t’u përballur me raste të Gripit sezonal.

©TVOPOJA