Sot në objektin e ShFMU “28 Nëntori” në Brodosanë u bë hapja solemne e dy Qendrave me Bazë në Komunitet. Ky projekt u realizua në kuadër të bashkëpunimit në mes të Komunës së Dragashit dhe Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, me mbështetje të Devolli Corporation dhe Qendrës për Shërbime Humane dhe Zhvillim.
Në ceremoninë e hapjes së këtyre Qendrave morën pjesë znj.Nona Zicherman – shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, znj.Sajeda Atari – specialiste e Zhvillimit në Fëmijërinë e Hershme në UNICEF, z.Shkëlqim Devolli – pronar i Devolli Corporation, z.Adriatik Kelmendi dhe z.Dardan Sejdiu – përfaqësues nga Devolli Corporation, si dhe znj.Mimoza Shahini – Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës për Shërbime Humane dhe Zhvillim.
Para hapjes solemne, Kryetari Xheladini i priti në Zyrën e tij të gjithë partnerët, me të cilët bashkëbisedoi në lidhje me mbarëvajtjen e Planit të Përbashkët të Punës dhe ecurinë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm. Ai i falënderoi të gjithë për bashkëpunimin dhe ndihmën e ofruar për qytetarët e Komunës së Dragashit.
Përfaqësuesi nga Devolli Corporation, z.Adriatik Kelmendi, prezantoi një historik të shkurtër të kësaj kompanie vendore, e cila po ofron mbështetje në hapjen e qendrave për zhvillim në fëmijërinë e hershme nëpër disa zona të Kosovës. Ndërkaq, shefja e Zyrës së UNICEF-it, znj.Nona Zicherman, falënderoi Komunën e Dragashit dhe Kryetarin Xheladini për gatishmërinë e bashkëpunimit në realizimin e projekteve të përbashkëta.
Në fjalën e tij me rastin e hapjes së këtyre Qendrave, Kryetari Xheladini u bëri thirrje të gjithë prindërve nga Opoja të cilët kanë fëmijë të moshës 3-5 vjeç, që t’i regjistrojnë ata në këto Qendra, për të cilat tha se janë një mundësi e mirë që fëmijët tanë të rriten në një mjedis të shëndoshë edukativ dhe socializues.