
Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” ka shpallur një vendim të ri mbi ndalimin e lëvizjes së motocross-eve dhe mjeteve të tjera motorike brenda territorit të parkut, duke argumentuar se ky aktivitet shkakton dëmtimin e sipërfaqeve të gjelbërta, ndryshon peizazhin natyror, krijon zhurmë, shqetëson kafshët e egra dhe ndot ajrin dhe tokën.
Në bazë të këtij vendimi, paralajmërohen edhe gjoba, vlera e të cilave shkon deri në 10,000 euro, raporton Televizioni Opoja. Shqiptimi i gjobave do të fillojë më 15 maj 2025, pas një fushate informuese të zhvilluar në media dhe institucionet relevante.
Reagimi i klubit të motocross-it “Enduro Sharri”
Vendimi ka shkaktuar reagime të menjëhershme nga komuniteti i motorristëve, në krye me z. Shaban Skeraj, kryetar i klubit “Enduro Sharri”. Në një postim në rrjetet sociale, ai ka shprehur shqetësimin e tij mbi këtë vendim, duke e cilësuar si të padrejtë dhe të motivuar nga interesa të tjera.
Skeraj argumenton se motorristët nuk lëvizin jashtë shtigjeve të përcaktuara dhe përkundrazi, kontribuojnë në ruajtjen e mjedisit duke mbledhur mbeturinat gjatë aktiviteteve të tyre. Ai po ashtu thekson se komuniteti motorrist ka ndihmuar në promovimin e turizmit në rajon, duke organizuar motometingje që kanë sjellë vizitorë të shumtë në zonën e Sharrit.
Në deklaratën e tij, ai u bën thirrje institucioneve përkatëse që të rishikojnë vendimin dhe të gjejnë një zgjidhje të drejtë që balancon mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e aktiviteteve sportive në natyrë.
Ky debat vë përballë çështjen e ruajtjes së mjedisit dhe mbështetjes së aktiviteteve sportive që kanë ndikuar pozitivisht në promovimin e zonës. Rreth kësaj çështjeje duhet të ketë diskutime mes institucioneve dhe palëve të prekura, për të gjetur një rrugë të mesme që mund të adresojë shqetësimet e të dyja palëve.
©TVOPOJA