Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se numri i asistentëve për fëmijë me nevoja të veçanta do të rritet deri në 400, nga sa është 100 aktualisht.
Kështu bëri me dije ajo gjatë një takimi me përfaqësuesit e Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, shkruan televizioni Opoja.
Ministrja tha se ky lajm i gëzoi ata, pasi ka një kohë të gjatë që po kërkojnë angazhimin e sa më shumë asistentëve.
Njoftimi i plotë:
Qasje e barabartë dhe krijimi i kushteve të domosdoshme për mësim, janë pjesë e synimeve të mija si ministre e Arsimit, por edhe planit tonë Qeverisës.
Kisha kënaqësinë t’i pres në takim, përfaqësuesit e Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, ku folëm bashkë për sfidat por edhe prioritet tona.
I njoftova se pjesë e Grantit Specifik të Komunave, tashmë janë 100 asistent për fëmijë me nevoja të veçanta, dhe gradualisht numri do të rritet deri në 400 asistentë.
Ky lajm i gëzoi ata jashtë mase, pasi ka një kohë të gjatë që po kërkojnë angazhimin e sa më shumë asistentëve.
Kërkova ndarjen e prioriteteve që t’i adresojmë shpejtë ato, dhe po kaq shpejt t’i realizojmë.
Kërkesat e tyre ishin që të sigurojmë sintezën vokale dhe pajisje të tjera specifike për nxënësit me dëmtime në të pamur, sigurimin e asistentëve për nxënësit me dëmtime intelektuale dhe ata me dëmtime në dëgjim, si dhe sigurimin e pajisjeve dhe materialeve didaktike.
Në vazhdimësi do të takohemi, dhe një për një, do t’i shqyrtojmë problematikat derisa të arrijmë t’ua plotësojmë kushtet e nevojshme.