Tash e një muaj qytetarët të cilët kanë aplikuar që të pajisen me letërnjoftim nuk kanë arritur ende të marrin atë, shkruan IndeksOnline.
Ministria e Punëve të Brendshme më 1 shtator ka njoftuae se për shkak të COVID-19, Agjencia e Regjistrimit Civil, nuk ka arritur me kohë të duhur të kryej të gjitha procedurat e nevojshme për furnizim me material të mjaftueshëm për letërnjoftime.
Si pasojë, shumë qytetarë të Republikës së Kosovës, të cilët kanë aplikuar për letërnjoftim, fatkeqësisht nuk kanë arritur që të pajisen në kohën e paraparë.
“Ministria e Puneve të Brendshme ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që në afat sa më të shkurtër kohor të furnizohet me material të nevojshëm, në mënyrë që të bëjë të mundur të pajisen me letërnjoftime të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Deri atëherë për kryerjen/marrjen e shërbimeve të nevojshme, mund të përdoret pasaporta valide e Republikës së Kosovës”,, thuhej në njoftim.
Mirëpo, nga MPB për IndeksOnline kanë konfirmuar se në bashkëpunim me Agjencinë e Regjistrimit Civil kanë bërë një zgjidhje për banorët e Republikës së Kosovës.
Nga ky institucion thanë se në rastet kur qytetarët kërkojnë dokumente të gjendjes civile, respektivisht ekstrakt nga Regjistri Qendror i Gjendjes Civile, t’iu lëshohet ekstrakti me fotografi.
“Agjencia e Regjistrimit Civil, për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia Covid-19, në pamundësi që qytetarët të pajisen me letërnjoftim të Republikës së Kosovës, kanë autorizuar Zyrat e Gjendjes Civile, që në rastet kur qytetarët kërkojnë dokumente të gjendjes civile, respektivisht ekstrakt nga Regjistri Qendror i Gjendjes Civile, t’iu lëshohet ekstrakti me fotografi, apo siç njihet praktika e vjetër e lëshimit të ekstraktit me fotografi të palës, i cili është subjekt i të dhënave. Meqenëse, Agjencia e Regjistrimit Civil, aktualisht nuk ka mundësi t’i pajisë me kohë qytetarët me letërnjoftime për shkaqe të ndryshme teknike, kjo procedurë, do t’iu lehtësojë qytetarëve realizimin e disa të drejtave (kërkesave) të tyre brenda vendit”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Me këtë problem janë ballafaquar edhe kandidatët për studentë në universitete.
Por edhe nga Minishtria e Arsimit dhe Shkencës kanë konfirmuar për IndeksOnline se mund të përdoret kjo praktikë./IndeksOnline/