
Trajneri i ekipit FC Vjosa, Mentor Mejzini, nga fshati Kosavë i Komunës së Dragashit, është në prag të një suksesi tjetër të madh në sportin kosovar raporton Televizioni Opoja, duke e udhëhequr skuadrën e tij drejt finales së Kupës së Kosovës në futsall, ku do të përballen me kampionët aktualë Prishtina 01.
Në një prononcim emocionues para finales së madhe, Mejzini u shpreh se rrugëtimi drejt finales ka qenë objektiv i qartë që nga dita e parë e marrjes së drejtimit të ekipit. Ai theksoi se përgatitja ka qenë e detajuar dhe e përkushtuar, jo vetëm për të arritur finalen, por për ta fituar Kupën e Kosovës, një sukses që do t’i dedikohej qytetit dhe tifozëve të Shtimes.
“Unë, si lojtar, e kam fituar këtë kupë gjashtë herë, dhe tani si trajner e shoh Kupën si një objektiv të madh për qytetin tonë. Shtimja ka nevojë për një trofe dhe ne duam ta shpërblejmë këtë nevojë me fitoren”, tha Mejzini.
Ky sukses është një dëshmi tjetër e talentit dhe përkushtimit që buron nga Komuna jonë. Mentor Mejzini, nga fshati Kosavë, po shkëlqen në skenën sportive të Kosovës edhe si trajner, duke treguar se pasioni dhe puna e palodhshme sjellin rezultate të mëdha.
Ndeshja finale do të zhvillohet të enjten, në orën 20:00, dhe është më shumë se një përballje për trofe – është simbol i krenarisë, përkushtimit dhe dashurisë për sportin. Tifozët janë ftuar masivisht të jenë pjesë e kësaj nate të veçantë që do të shkruhet me gërma të arta për klubin dhe për qytetin.
Mentor Mejzini është më shumë se një trajner – ai ishte dhe vazhdon të jet një ambasador i vlerave të Dragashit në sportin kombëtar.
©TVOPOJA