Sot, më 14 mars, në shkollën “Ulina” në Kosavë u mbajt një aktivitet i veçantë për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Numrit Pi. Ky aktivitet, i organizuar me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit dhe nxitjes së kuriozitetit të nxënësve për këtë numër irracional të rëndësishëm në matematikë dhe shkencë, u prit me entuziazëm të madh.
Nxënësit prezantuan punime të përgatitura me përkushtim, duke përfshirë postera informativë, projekte kreative dhe prezantime mbi historinë, përdorimin dhe rëndësinë e numrit Pi. Me ndihmën dhe udhëheqjen e mësimdhënësit të matematikës Arton Ajeti, nxënësit eksploruan konceptet matematikore në një mënyrë argëtuese dhe edukative.
Ky aktivitet jo vetëm që u ndihmoi nxënësve të kuptojnë më mirë numrin Pi, por edhe i inkurajoi ata të zhvillojnë mendimin kritik dhe kreativitetin e tyre. Të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit që kontribuan në realizimin e kësaj dite të veçantë, meritojnë respekt dhe mbështetje.
©TVOPOJA