
Në zyrën e Kryetarit të Komunës së Dragashit u mbajt sot mbledhja e radhës e Qeverisë Komunale, ku u diskutuan dhe u morën vendime për disa projekte me rëndësi për komunitetin. Në praninë e përfaqësuesit të organizatës Platform for Lawyers, avokatit Mehmet Vehbi Filiz, u trajtua mundësia e ndërtimit të një strehimoreje për qentë endacakë në territorin e komunës. Për këtë qëllim u formua një komision prej tre anëtarësh, i cili në bashkëpunim me organizatën do të shqyrtojë të gjitha hapat dhe procedurat për realizimin e projektit.
Po ashtu, u formua Komisioni për implementimin e donacionit nga Republika e Turqisë për bletarët e rajonit të Gorës, i cili do të kujdeset për zbatimin korrekt të projektit, me synim mbështetjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të bletarisë në komunë.
Mbledhja përfshiu edhe diskutime për modalitetet e organizimit të Agjendës së aktiviteteve për nder të Epopesë së UÇK-së, si dhe për caktimin e lokacioneve në pjesën e Gorës dhe të Opojës ku do të ndërtohen hidrante për shuarjen e zjarreve, duke rritur sigurinë dhe gatishmërinë në rast emergjencash.
Këto vendime pasqyrojnë përkushtimin e Komunës së Dragashit për të adresuar nevojat e komunitetit, për të mbështetur sektorët ekonomikë e socialë dhe për të forcuar infrastrukturën e sigurisë publike.
©TVOPOJA