Drejtoria e Arsimit në Dragash në bashkëpunim me Shoqatat e Matematikanëve dhe Fizikanëve të Kosovës, organizuan garat: “Olimpiada Matematike”  si dhe “Fizikanët e Rinj” në nivel komune.

Gara u zhvillua me nxënësit e klasave të IX, X, XI dhe të XII, nga të gjitha institucionet edukativo-arsimore të nivelit të arsimit parauniversitar.

Në këto gara, secila shkollë u përfaqësua me nxënës që kanë treguar rezultate të larta në garat e nivelit shkollorë.

Ndërsa, nxënësit që do të shënojnë rezultate të mira në nivel komune do të përfaqësojnë Komunën e Dragashit në nivel vendi, më 27 respektivisht 28 shkurt në Prishtinë.

Qëllimi dhe organizimi i garës me karakter të tillë, është në funksion të përmirësimit të cilësisë në arsim, nxjerrjes në pah të shkathtësive dhe kompetencave të arritura nga nxënësit, identifikimin e talentëve të rinj dhe mbështetjen e tyre drejt avancimit dhe zhvillimit profesional.

Drejtori i Arsimit në Dragash z. Vloran Cenaj u uron sukses nxënësve e njëherit na njofton me punën dhe projektet nepër shkolla:

“Drejtoria e Arsimit, në kontekst të zhvillimit, ngritjes dhe përmirësimit të cilësisë në arsim, ka ndërmarrë veprime konkrete në shumë dimensione që garantojnë progres në ngritje të cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie, duke përmirësuar infrastrukturën shkollore, gjatë këtij viti pajisjen e shkollave me kabinete, laboratorë dhe mjete të ndryshme dhe zhvillimin profesional të mësimdhënësve, në mënyrë që të kemi një mësimdhënie cilësore dhe të jemi në hap me trendet dhe zhvillimet ndërkombëtare.”

©TVOPOJA