Qendra e LV në Dragash, përmes një komunikate për media, ka njoftuar për mbledhjen e mbajtur të kryesisë së kësaj dege.

Ata kanë potencuar se do të janë fitues të zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.

Sipas tyre, bashkë me qytetarët, shumë shpejt komuna do të kthehet aty ku e ka vendin – tek qytetarët.

Për më shumë postimi i plotë:

KOMUNIKATË

Sot, në zyrën e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Sharr, është mbajtur mbledhja e rregullt e kryesisë së Qendrës tonë.

Situata politike lokale, çështjet organizative e parapërgatitja për fushatën elektorale të vjeshtës së këtij viti, ishin tematikat që u trajtuan në këtë mbledhje.

Në ditët e javët në vijim, një trupë e përzgjedhur në mbledhjen e sotme nga kryesia, do të jetë lagje më lagje e fshat për fshat, për të identifikuar në mënyrë strukturore problematikat e qytetarëve në secilën zonë të qytetin tonë, zgjidhje për të cilat nuk pati tash e më shumë se një dekadë.

Keqqeverisja lokale në Sharr ka ndikuar që për shumëkënd, thënë më saktë për shumicën, qyteti të shndërrohet në vend të pajetueshëm. Pabarazia e padrejtësia sociale, diskriminimi, hajnia e nepotizmi, janë fenomenet që e kanë karakterizuar institucionin e komunës për këto kohë.

Është detyrë e jona qytetare e obligim i yni moral karshi vendit angazhimi maksimal që kjo gjendje të ndryshojë. E, padyshim se koha e ndryshimit është më shumë se afër e më tepër se e nevojshme.

Bashkë, shumë shpejt, do ta kthejmë komunën aty ku dhe e ka vendin – tek qytetarët.
Do të qeverisim ndryshe. Do të qeverisim mirë. Për të gjithë, secilin, secilën, veçanarisht për rininë, sidomos për të varfërit e veçmas për të gjithë ata ndaj të cilëve shtypja e pabarazia është ndërtuar në mënyrë strukturore nga vetë institucionet komunale, të shndërruara në dinasti partiake nga PDK-ja.

Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Sharr
5 qershor, 2021