Sot në sallën e Kuvendit Komunal në Dragash, grupi i grave asambleiste në bashkëpunim me kryesuesen e kuvendit dhe zyrtaren për Barazi Gjinore organizoi një tubim me gratë e komunës së Dragashit, ku u shpalosën iniciativat dhe aktivitetet që gratë asambleiste kanë zhvilluar dhe do t’i zhvillojnë në kuadër të Muajit Rozë për Ndërgjegjësimin lidhur me Kancerin e Gjirit.

Këto aktivitete kanë për qëllim vetëdijesimin e grave për diagnostikimin e hershëm dhe parandalimin e kancerit të gjirit. Pikërisht për këtë temë, Dr. Sebahate Sylejmani Shala mbajti një ligjëratë sensibilizuese me gratë e komunës sonë.

Pjesë e këtij tubimi ishin gra nga komuna e Dragashit, përfshirë të punësuarat në institucionet komunale, arsimore dhe shëndetësore, familjarët e dëshmorëve dhe qytetarë të tjerë nga komuna e Dragashit.

Me një fjalë përshëndetëse, kryetari Xheladini falënderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit, dhe bëri apel që të gjithë të mbështesim dhe të gjendemi pranë atyre që janë të prekur nga kjo sëmundje. Kryesuesja e kuvendit njoftoi për disa iniciativa që janë marrë në kuvendin komunal në mbështetje të grave, ndërsa panelistët tjerë u bënë apel grave të komunës që të mos hezitojnë nëse shohin diçka të dyshimtë, pasi gratë dhe vajzat janë të nevojshme për familjen.

Në fund, grupi i grave asambleiste në bashkëpunim me kryesuesen e kuvendit ndanë mirënjohje kryetarit të komunës, gjinekologes dhe përfaqësueses së OSBE-së për mbështetjen e vazhdueshme.

Takimi u përmbyll me ligjëratën e Dr. Sebahate Sylejmani Shala, një ligjëratë që u ndoq me vëmendje nga një numër i madh i të pranishmëve në sallë!

Pas ligjëratës, të gjithë të pranishmit u ftuan të bashkohen në marshin sensibilizues me moton “Eja, mos hezito!”, ku marshuan në qendrën e komunës së Dragashit.

©TVOPOJA