
Komuna e Dragashit ka marrë një vendim të ri që parasheh shfrytëzimin e oborreve të të gjitha shkollave në territorin e saj si hapësira parkimi pa pagesë, gjatë periudhës së verës. Vendimi bazohet në rekomandimin e dalë nga takimi i KKSB-së (Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi), i mbajtur më 1 korrik 2025.
Sipas vendimit, oborret e shkollave do të vihen në shfrytëzim për qytetarët dhe bashkatdhetarët nga data 6 korrik deri më 20 gusht 2025, për të lehtësuar qarkullimin dhe për të ofruar zgjidhje për mungesën e parkingjeve gjatë kësaj periudhe të ngarkuar.
Drejtorët e shkollave janë të obliguar të lejojnë përdorimin e këtyre hapësirave, si dhe të sigurojnë nga një punëtor ndihmës për menaxhimin e tyre. Për mbikëqyrjen e zbatimit të vendimit do të përkujdeset Drejtoria Komunale për Arsim, në bashkëpunim me drejtorët e shkollave.
Ky vendim hyn në fuqi ditën e nënshkrimit nga Kryetari i Komunës dhe synon që përmes një zgjidhjeje praktike të ndihmojë qytetarët në menaxhimin më të lehtë të hapësirës publike gjatë sezonit veror.
©TVOPOJA