Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka kërkuar që dialogu me Serbinë të merret me përkushtim më të madh nga ana e institucioneve të Kosovës.
Teuta Sahatqija, anëtare e Kryesisë së LDK-së në një konferencë për media tha se në këtë proces, LDK do ta luaj rolin e vet konstruktiv si pjesë aktive e Kuvendit të Kosovës.
“Orientimi i LDK-së si pikë e parë, LDK mendon se dialogu duhet të merret me përkushtim më të madh, jo vetëm për anëtarësimin e këtyre dy vendeve në bashkësinë evropiane të Kosovës dhe Serbisë, por për sigurimin e paqes dhe sigurisë afatgjatë në rajon”, tha ajo.
Sipas saj, LDK-ja do të luajë rolin e saj në mënyrë që dialogu të përfundojë suksesshëm me njohje reciproke në kufijtë aktual.
“LDK mendon se duhet të bëhen përgatitje substanciale dhe dialogu duhet të bazohet në këto parime: transparencës, vendosja e parimeve bazë, përgatitja serioze dhe substanciale me platformë të duhur, në parim duhet të jetë ruajtja e kushtetutshmërisë, sovranitetit dhe integritetit territorial”, u shpreh Sahatqija.
LDK-ja vlerëson se SHBA-të duhet të jenë pjesë e këtij procesi, me rol më të fuqishëm.
“Dialogu duhet të jetë me Kosovën e jo për Kosovën. Kryeministri duhet të rapotojë rregullisht për vizitat duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve. Presim nga institutcionet që të dalin kundër ‘non-papers’”, theksoi Sahatqija.