
Lidhja Demokratike e Kosovës – Dega në Dragash ka nënshkruar marrëveshjen për koalicionin parazgjedhor qeverisës me subjektin politik SDU (Socijaldemokratska Unija), të udhëhequr nga znj. Duda Balje, si dhe me kryetarin e degës së SDU-së për Dragash, z. Behar Brenoli.
Sipas njoftimit zyrtar, kjo marrëveshje përfaqëson jo vetëm një dakordim për bashkëpunim në zgjedhjet e ardhshme lokale, por edhe një vazhdim të partneritetit të deritanishëm në qeverisjen komunale. Palët kanë shprehur synimin e përbashkët për një mandat të ri, me fokus në zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien e qytetarëve të Dragashit.
Ky koalicion vlerësohet si një dëshmi e besimit të ndërsjellë dhe e përkushtimit për një qeverisje stabile, gjithëpërfshirëse dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie apo përkatësie politike. Në deklaratën e tij, kryetari i Degës së LDK-së në Dragash, z. Bexhet Xheladini, ka theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi si një hap i matur dhe i domosdoshëm për të garantuar vazhdimësinë e projekteve zhvillimore dhe për të forcuar stabilitetin institucional në komunë.