Sot, në varrezat e fshatit Zgatar të Opojës, i dhamë lamtumirën e fundit profesor Xhevdet Ibrahimit. Dhimbja dhe pikëllimi i thellë bashkuan qindra qytetarë, familjarë, kolegë, miq e ish-nxënës nga të gjitha fshatrat e Opojës, nga Prizreni, Prishtina e më gjerë, për të nderuar jetën dhe veprën e një personaliteti të rrallë.
Profesor Xhevdeti ishte shumë më tepër se një mësimdhënës i matematikës. Ai ishte një figurë e gjithanshme e arsimit, kulturës dhe sportit, një burrë me karakter të çeliktë e me shpirt të butë njerëzor, i cili për më shumë se katër dekada i përkushtoi jetën edukimit të brezave në gjimnazin “Ruzhdi Berisha” të Dragashit, ku shërbeu edhe si drejtor. Me disiplinën, korrektësinë dhe dashurinë e tij për nxënësit, la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e komunitetit.
Jeta e tij nuk u kufizua vetëm brenda mureve të shkollës. Profesor Xhevdeti ishte gjithmonë në vijat e para të veprimtarive kombëtare: në Lëvizjen e Pajtimit të Gjaqeve, në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Dragash, në ruajtjen e kulturës, sportit dhe trashëgimisë opojane. Si futbollist e valltar i pasionuar, ai përçonte gëzim e gjallëri; si atdhetar i devotshëm, mishëronte guximin dhe dinjitetin; si bashkëbisedues i urtë, fitonte respekt e dashuri nga të gjithë, pa dallim bindjesh politike.
Ikja e tij lë një boshllëk të madh – për familjen e dashur, për kolegët e tij, për nxënësit e shumtë që sot janë profesionistë e qytetarë të denjë falë mësimeve të tij, dhe për gjithë komunitetin e Opojës e më gjerë. Por njëkohësisht na lë trashëgimi të vyer: shembullin e një njeriu që e jetoi jetën me nder, me përkushtim dhe me dashuri për njeriun e atdheun.
Lamtumirë Profesor Xhevdet!
Lamtumirë, njeri i mirë dhe i urtë. Do të mbetesh përjetë në kujtesën tonë si mësues, udhërrëfyes dhe mik.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën tënde!
U prehsh në paqe! (D. Reshiti)