Pas një debati të gjatë në sallën e Kuvendit Komunal ashtu siç ishte pritur, pika e 7-të e rendit të ditës, që parashihte ndarjen e parcelës për ndërtimin e fabrikës së shkrirjes së xeheve nga kompania Ferrokrom Kosova, u hoq nga rendi i ditës, raporton Televizioni Opoja. Kjo pikë u kundërshtua fuqishëm nga banorët e fshatit Shajne që nga momenti i publikimit seancës dhe rendit të ditës nga kryesuesja e Kuvendit.
Pas reagimeve të shumta, stafi komunal zhvilloi një takim me banorët e fshatit, të cilët unanimisht refuzuan këtë projekt. Në seancën e sotme, përpara votimit të rendit të ditës, pati diskutime mes asambleistëve. Kryetari deklaroi se ai dhe kryesuesja do ta largonin këtë pikë, por asambleistët kërkuan që vendimi të merrej nga vetë asambleja.
Në fund, me 24 vota pro, 0 abstenime dhe dy vota kundër, u vendos që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës, duke i hapur rrugë diskutimit të pikave të tjera të seancës.
©TVOPOJA