Në përkujtim të 26-vjetorit të Betejës së Koshares, Kryetari i Komunës së Dragashit, z. Bexhet Xheladini, nderoi dëshmorët nga treva e Opojës që ranë heroikisht në këtë përballje historike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër agresionit serb. Me respekt dhe përulje të thellë, kryetari rikujtoi sakrificën sublime të Ilmi Bahtijarit, Fetah Sylejmanit dhe Fisnik Ibrahimit, të cilët u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Postimi i plotë i kryetarit të komunës:
Sot përkujtojmë Betejën e Koshares, njërën nga përballjet më të suksesshme në luftën e lavdishme të UÇK-së kundër agresionit serb. Kosharja shënon kulmin e sakrificës sublime të qindra luftëtarëve tanë që u rreshtuan në rrugën drejt çlirimit nga shtypja, dhuna sistematike dhe prirja gjenocidale e shtetit diktatorial të Serbisë së Millosheviqit.
Në këtë Betejë të lavdishme nuk kishin si të mungonin as luftëtarë të shumtë nga treva e Opojës, tre prej të cilëve ranë heroikisht në altarin e lirisë. Ilmi Bahtijari nga Blaçi dhe Fetah Sylejmani e Fisnik Ibrahimi nga fshati Shajne, janë krenaria jonë e paharrueshme, të cilët u flijuan për vlerat më të shenjta të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Jemi pafundësisht mirënjohës dhe e nderojmë me respekt dhe përulje të thellë sakrificën e pashembullt të secilit luftëtar dhe dëshmor të UÇK-së, që në kohërat më të errëta i dolën zot Atdheut. Lavdi të gjithë të rënëve për liri dhe pavarësi! Qoftë i përjetshëm kujtimi për dëshmorët tanë!
©TVOPOJA