Me rastin e festës së madhe të Kurban-Bajramit, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Dragash, z. Driton ef. Qengaj, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë, duke përcjellë mesazhe të thella shpirtërore dhe thirrje për solidaritet e përmirësim të brendshëm.
Urimi i plotë:
Të dashur vëllezër e motra!
Kam kënaqësinë që në emër të Këshillit të Bashkësive Islame të Dragashit,në emër timin personal dhe të besimtarëve muslimanë t’ua uroj festën e madhe të Kurban-Bajramit.
Festa e Kurban-Bajramit na kujton pejgamberin e Zotit, Ibrahimin a.s., i cili botën nuk e shikonte nga perspektiva e forcës, imponimit dhe dominimit, porse nga ajo e zemërgjerësisë, ngrohtësisë shpirtërore, tolerancës, drejtësisë dhe dashurisë.
Po ashtu, kjo festë e madhe ndërlidhet ngushtë edhe me kryerjen e Haxhit, besimtarët mund të nxjerrin mësime dhe porosi të shumta nga mesazhet e këtij ibadi të madh të Haxhit.
Vëllezër dhe motra!Duke i shfrytëzuar mirësitë e ditëve festive të Kurban-Bajramit, tekbiret që këndohen, kurbanët që theren, vizitat që i bëjmë te familjarët dhe miqtë, si dhe veprat e mira të tjera që i bëjmë, le të orvatemi ta ndryshojmë vetveten për të mirë dhe të pastrohemi nga çdo veti e keqe dhe negative.
Le t’i festojmë dhe t’i shënojmë këto ditë bajrami në mënyrë të dinjitetshme, duke mos harruar as ata që kanë nevojë për ndihmën tonë: jetimët, skamnorët dhe të sëmurët. Lusim Zotin e Plotfuqishëm që t‘ju dhurojë mirësi, paqe dhe dashuri! Amin.
Urime dhe me fat festa e Kurban Bajramit!
Driton ef Qengaj
Kryetari i KBI Dragash.