Departamenti i Policisë Kufitare, ka iniciuar disa raste penale si ‘kontrabanda me mallra’, ‘import, eksporti, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitja e paautorizuar e armeve apo materialeve plasëse’ dhe ‘posedim i paautorizuar e substancave narkotike dhe psikotropike’.
Patrullat policore të kufirit, mbrëmë rreth orës 21:30 gjatë vëzhgimit të kufirit me dylbi nate kanë vërejtur dy kuaj duke lëvizur nga Maqedonia Veriore në drejtim të Republikës se Kosovës (në drejtim të fshatit Dremjak). Patrullat policore kanë arritur t’i ndalojnë dy kuaj, në të cilin ishin të ngarkuar 260 kilogramë duhan.
“Kuajt ishin të ngarkuar me njëqind (100) kuti duhan të përpunuar (i grirë) dhe gjashtëmbëdhjetë (16) thasë me duhan të përpunuar (i grirë). Sasia e duhanit të konfiskuar në këtë rast është 260 kg, sasi kjo e cila është dorëzuar në Terminalin Doganor Hani i Elezit”, njofton policia.
Tutje, policia njofton se pas realizimit të masave të fshehta të hetimit nga hetuesit policorë, mëngjesin e sotëm ka filluar zbatimi i urdhëresës për urdhër kontrolle të shtëpisë dhe objekteve tjera përcjellëse të të dyshuarit B.H. (viti i lindjes 1978, mashkull kosovar), i cili dyshohet për përfshirje në veprën penale: ‘import eksport, shitje te armëve dhe municionit’.
Gjithashtu janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale.
Po ashtu sot gjatë kalimit të kufirit nga Republika e Shqipërisë për në Republikën e Kosovës, një automjet të cilin e drejtonte: D.G. (viti i lindjes 1990, mashkull kosovar) është dërguar në vijën e dytë të kontrollit.
“Gjatë kontrollit të ushtruar nga zyrtarë policore dhe ata doganor tek i dyshuari është gjetur dhe sekuestruar: dy (2) qese najloni me nga 10 doza të dyshuara si substancë narkotike e llojit kokainë. Rasti procedohet tek Njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik”, përfundon policia.