(Për vozitësit 😊)

Ka një shtrenjtim të karburantit në tregjet globale, andaj e pashë të udhës të jap kontributin tim në këtë aspekt.

1.Kujdesuni që vetura teknikisht të jetë sa më në rregull, gomat e fryra sipas udhëzimit të prodhuesit, vaji jo i vjetër… etj..

2.Sapo ta “ndizni” motorin, lëvizni me veturë, nuk keni nevojë të pritni.

Në gjendje të ftohtë motorit i duhet më shumë karburant. Le ta ngrohim motorin gjatë lëvizjes kujdesshëm, pa nxitime të panevojshme. Kjo jua kursen kuletën dhe e ruan po ashtu mjedisin.

3.Vozisni me parashikim të ndodhive në trafik dhe me shpejtësi mundësisht konstante.

Kur mbani distancë të mjaftueshme nga vetura para jush, ju jeni më të sigurt dhe ndryshimet e shpejtësisë mund t’i zbusni me më shumë elegancë. Frenimet dhe nxitimet e shpeshta harxhojnë karburant, kohë dhe para pa nevojë.

4.Nxitoni aq sa është e nevojshme

Për nxitim të mbajtur gjatë, veturës i duhet më shumë karburant. Atëherë duhet të keni pak më shumë “guxim” për ti dhënë “gaz” veturës, që të arrini sa më parë shpejtësinë e dëshiruar (por jo t’ia “luani mendtë” veturës) dhe të vozisni konstant, ngase vozitja konstante kursen karburant (të holla).

5.Mos i ndërroni shpejtësitë (hapat) shpesh. Mundësisht edhe ti kapërceni shpejtësitë (hapat) kur kjo është e mundur, sidomos kur nxitoni shumë (p.sh. prej 4 në 6 ose prej 3 në 5).

Vlen përgjithësisht kjo: “Sa më parë në hapin më të lartë, sa më vonë në më të ulëtin.”

Numri i rrotullimeve mundësisht të jetë mes 1.500 dhe 2.000 rrot/min. Sa më gjatë 1.500 rrot/min. natyrisht nëse kjo, për ta tërhequr veturën, mjafton minimalisht. Nëse merrni nxitim të madh (sidomos gjatë parakalimeve), kaloni gjithnjë një hap më poshtë.

Normalisht vozisni në hapin sa më të lart të mundshëm. Më mirë me hapin e 5 me 1500 Rrot/min. sesa me atë 4 me 2000 Rrot/min.

6.Sa më pak frenoni me frena, sa më shumë dhe sa më herët me heqjen e këmbës nga gazi (sidomos kur i afroheni lakut, apo daljes nga rruga kryesore)

Veturat moderne (gati të gjitha të prodhuara pas vitit 2000) e “kuptojnë” që motori po frenon, andaj harxhojnë karburant sa për të “mbetur gjallë”, sidomos veturat dizel. Nëse ju frenoni, vetura nuk do ta kuptojë këtë dhe do të harxhojë karburant. Frenat dhe disqet po ashtu do të harxhohen. Pra humbja e dyfishtë.

7.Përdoreni “Tempomatin” sa më shumë nëse vetura juaj e ka.

“Tempomati” e mban shpejtësinë konstante, andaj kursen karburant. Por në rrugët gropa-kodra nuk preferohet, ngase i ndihmon harxhimit. Përdoreni pra në autostradë apo rrugë të rrafshëta.

8.Mos ecni kurrë në “Ler” (“Leer” ne gjermanisht d.m.th. zbrazët)

Vetura me motor të ndezur, në “ler” pra në hapin zero, harxhon 1,2 deri 1,5, madje edhe deri 2 herë më shumë karburant se kur është e futur në hap (varet nga mosha e veturës dhe temperatura e motorit)

9.Kur qëndroni gjatë në një vend, shuani motorin.

Te veturat dizel, kjo shpaguhet nëse ju qëndroni në vend më gjatë se 45 sekonda, kurse te veturat me benzinë më gjatë se 10 sekonda. Ngase për kohën e cekur vetura harxhon karburant gjatë ri ndezjes, poaq sikur të mos ndalej fare. Çdo sekondë më tepër i ndalur, pa motor të ndezur është kursim i karburantit.

10.”Klimën” rregullojeni në temperaturën 22°C, ose mundësisht 5°C më poshtë se temperatura e ambientit ku vozisni.

Temperatura e rregulluar jashtë këtyre kufijve ju harxhon karburant pa nevojë, por edhe nuk është e shëndetshme.

11.Përdoreni navigacionin, nëse keni, ngase do t’ua shkurtojë rrugën ose kohën e vozitjes. Rrjedhimisht ju kurseni karburant.

Nga dy rrugë të mundshme duhet te zgjidhni atë që është më e shkurtër, edhe pse për kalimin e saj do t’ju duhet nja 5 min. më tepër (nëse nuk jeni për ngutë). Rruga harxhon më shumë sesa koha e vozitjes (kur dallimi nuk është përafërsisht më i madh se 5 min. për 50km)

Vërejtje!!!

Gjatë lëvizjes KURRË mos e shuani motorin, ngase mekanizmat e sigurisë punojnë vetëm me motor të ndezur. Me shuarjen e tij ju rrezikoni jetën tuaj seriozisht. Vlen të ceket se frenat, në rast se shuhet motori, NUK PUNOJNË hiç (ndoshta vetëm një herë, nëse keni fat, dhe atë me shtypje shumë të fortë të padalës)

Faton Piraj