Ka ndërruar jetë profesori i njohur opojan, Ismail Abazi.

I ndjeri shërbeu për një kohë të gjatë si profesor në shkollën “28 Nëntori” në Bresanë e poashtu ishte edhe i burgosur politik nga sistemi serbo-jogusllav.

Ndërsa, lajmi është bëre i ditur nga familja e tij.

“Me rastin e vdekjes se djalit axhes Ismail Abazit, ju njoftojme se varrimi behet ne varrezat e Prizrenit pas namazit te ikindise. Pamja dhe pritja nga familja behet te shtunen dhe te dielen ne shtepine e Nafi Abazit rruga Besnik Ferati, ish rruga Vjosa. Namazi i xhenazës falët në varrezat e qytetit”

 

BIOGRAFIA

Ismail (Abidin) Abazi

U lind më 1942 në Bresanë të trevës së Opojës, në komunën e Dragashit (Sharrit). Rrjedh nga familja e madhe dhe e njohur e ‘Vesaje’. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje.

Meqë asnjëherë nuk u pajtua me sistemin monist serbo-jugosllav, ai duke qenë nxënës i shkollës së mesme në Normalen e Prizrenit, në prillin e vitit 1962 u arrestua nga organet e UDB-së. U akuzua si ‘Nacionalist dhe organizator i grupit, që synonin Kosova të shkëputej nga Serbia dhe Jugosllavia, e t’i bashkohej Shqipërisë’.

Në Gjykatën e Qarkut të Prizrenit u dënua me 6 vite e 6 muaj burg të rëndë. Aty u torturua së tepërmi. Pas një kohe, për vuajtje të dënimit dërgohet në kampin apo burgun famëkeq të Goli-Otokut (ishull djerrë-shkëmbor në Kroaci). Pas vuajtjes së dënimit e detyrojnë të shkojë në APJ, në Knin të Kroacisë, ku edhe atje përjetoi vuajtje të tmerrshme.

Kthimi në shtëpi nuk e la të qetë, ngase ishte dashamirës i dijës dhe shkollimit. Menjëherë u regjistrua në SHLP “Bajram Curri” të Gjakovës, në drejtimin Gjuhë dhe Letërsi Shqipe për të vazhduar shkollimin e lartë, aty edhe diplomoi.

Arsimtari Ismail Abazi, në pranverën e madhe të vitit 1981, në kohën e demonstratave të studentëve dhe punëtorëve të Kosovës, përsëri u arrestua nga organet e dhunshme jugosllave dhe me disa intelektualë kosovarë u mbajtë 1 muaj i padënuar në izolim në burgun e Lipjanit. Për më shumë se 20 ditë, familjarët e tij nuk arritën të mësojnë se në cilin burg gjendet.

Disa herë insistoi që të punësohej në arsim, për të qenë mësimdhënës, meqë e donte këtë profesion, por organet partiake dhe shtetërore të komunës së Dragashit të monitoruara nga ato krahinoret dhe më të lartat (të atëhershme), nuk e lejuan, duke e shpallur ‘person non grata’ (‘i padëshiruar’), si për arsim, por edhe për aspekte të tjera – jetësore.

Pas mbylljes së shkollës shqipe në Kosovë, u punësua në shkollën fillore “28 Nëntori” në vendlindjen e tij – Bresanë, ku punoi si mësimdhënës i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, deri në pensionim.

Punësimi i tij është realizuar më 1992 në kuadër të sistemit arsimor paralel të Kosovës, pra jashtë sistemit arsimor të Serbisë. Për punën që tregoi, si arsimtar i dalluar, në procesin edukativo – arsimor, në nivel komunal, në vitin 1997, nga SBASHK-u fitoi ‘Çmimin Vjetor të Nderit’.

Arsimtari Ismail qe i pamposhtur dhe i paluhatur në qendrimet dhe idealet e tija kombëtare-patriotike karshi sfidave të kohës. Pandërprerë ishte aktiv në Lëvizjen Shqiptare të Kosovës.

Vlen të theksohet se shtëpia e tij në Bresanë, është në kuadër të trashëgimisë kulturore (me elemente të vjetra – e ndërtuar në shekullin XIX, nga llaqi dhe guri, ku dominojnë edhe ndërtimet tjera të vjetra nga druri: dyshemeja, dollapet, dritaret, dyert…; e cila po ashtu është me çati druri e mbuluar me rrasa guri).

Restaurimi i kësaj shtëpie është bërë më 2015 nga CHWB – Cultural Heritage Without Border (Trashëgimia Kulturore Pakufij) nga Suedia në bashkëpunim me KK Dragash.