Në komunën tonë çdo vit po përsëritet fenomeni i njëjtë kur vjen fjala te takimi publik që organizohet për të parashtruar pyetje dhe për t’u informuar nga afër për çdo projekt brenda komunës sonë. Edhe sot, në takimin e dytë për këtë vit, në sallë ishin të pranishëm një numër i vogël qytetarësh dhe thuajse asnjë pyetje nuk u drejtua ekzekutivit, përveç një kërkese nga komuniteti shumic dhe dy pyetje nga minoritetet.
Këto takime janë shumë të rëndësishme pasi qytetarëve u lejohet që të kërkojnë përgjigje nga kryetari i komunës dhe drejtorët për çdo shqetësim apo projekt që i intereson. Por, siç duket, në Komunën e Dragashit gjithçka është në rregull dhe askush nuk ka guximin të bëjë ndonjë pyetje!
Ndërsa nga ana tjetër, kryetari i komunës, në pjesën e parë të takimit, informoi të pranishmit dhe opinionin publik nëpërmjet mediave për çdo projekt që është organizuar gjatë këtij viti, si dhe për investimet kapitale.
Por për çudi, kur vjen fjala te guximi, atëherë qytetarët e komunës sonë sillen ndryshe në rrjetet sociale. Ata kanë pyetje, kritika dhe shumë më tepër nëpër komente dhe postime të ndryshme! Praktika dhe “mosinteresimi” i qytetarëve të komunës sonë është për t’u shqetësuar!
©TVOPOJA