
Komuna e Dragashit ka njoftuar se më 11 dhjetor 2025, në orën 13:00, do të mbahet mbledhja e parë inauguruese e Kuvendit të Komunës për legjislaturën e re. Mbledhja do të zhvillohet në sallën e Kuvendit, ku anëtarët e rinj do të bëjnë betimin dhe do të nënshkruajnë deklaratën solemne për marrjen e detyrës.
Sipas rendit të ditës së propozuar, ceremonia nis me nënshkrimin e anëtarëve dhe pjesëmarrësve, pasuar nga intonimi i Himnit të Flamurit dhe një minutë heshtje në nderim të dëshmorëve të rënë për liri. Më pas, anëtari më i vjetër i Kuvendit do të mbajë fjalën hyrëse dhe do të kryesojë seancën deri në përfundim të procesit të betimit të anëtarëve dhe Kryetarit të Komunës.
Pas dhënies së betimit, Kryetari i Komunës do të mbajë fjalën e tij përshëndetëse, ndërsa seanca pritet të përmbyllet rreth orës 14:15.
Në fund të ceremonisë, në mënyrë të organizuar, anëtarët e Kuvendit dhe të pranishmit do të bëjnë homazhe tek shtatorja e Adem Jasharit dhe tek varrezat e dëshmorëve në Dragash.
©TVOPOJA