Në datën 11 Tetor 2024, Dragashi ishte qendra e vëmendjes për të gjithë rajonin me organizmin e panairit të tretë të prodhimeve vendore “EXPO SHARRI 2024”. Ky panair u organizua nga Shoqata e Afaristëve “SHARRI”, me mbështetjen e Komunës së Dragashit, dhe mblodhi bashkë fermerë, artizanë, biznese dhe qytetarë për të promovuar produktet e tyre lokale dhe për të ndarë kulturën dhe traditat e pasura të rajonit tonë.

Atmosfera ishte e mrekullueshme dhe e gjallë, e pasur me ngjyra dhe aroma të produkteve vendore. Vizitorët kishin mundësinë të shijonin dhe të blinin një shumëllojshmëri të produkteve të freskëta dhe artizanale, duke përfshirë djathin, mjaltin, bimët mjekuese, frutat malore, punimet nga druri, dhe shumë të tjera. Çdo stendë reflektoi përkushtimin dhe dashurinë e prodhuesve tanë loalë.

Një nga momentet kulminante të panairit ishte prezenca e Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, e cila nderoi këtë ngjarje me praninë e saj dhe vlerësoi lartë organizimin, duke ngritur lart njerëzit dhe bizneset nga komuna jonë. Në hapjen e panairit ishin të pranishëm edhe Zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi, Kryetari i Komunës z. Bexhet Xheladini me stafin komunal, deputetë nga Parlamenti i Kosovës, përfaqësues nga KFOR-i turk, Policia e Kosovës dhe shumë qytetarë të tjerë nga komuna jonë.

Panairi u zbukurua edhe me traditat tona opojane, duke përfshirë vallet tradicionale nga të dy komunitetet dhe ushqimet e mrekullueshme tradicionale të gatuara në ambient të hapur si qeshkk, qebapa, petulla, flija dhe patate të ziera. Këto shije autentike sollën një ndjesi të veçantë për të gjithë të pranishmit, duke rikujtuar traditat e vjetra të rajonit.

Gjatë panairit, vizitorët patën mundësinë të marrin pjesë në demonstrime të ndryshme të artizanateve dhe produkteve lokale, duke mësuar më shumë rreth procesit të prodhimit dhe përfitimeve të tyre. Aktivitetet përfshinin gjithashtu guida turistike që promovuan bukuritë natyrore të Sharrit dhe ofertat turistike unike të rajonit.

Panairi EXPO SHARRI 2024 përmbushi pritjet dhe më shumë, duke ofruar një platformë të shkëlqyer për prodhuesit lokalë për të promovuar dhe shitur produktet e tyre, dhe për vizitorët për të shijuar dhe përkrahur prodhimet vendore. Organizimi ishte menduar deri në detajin e fundit, duke siguruar një përvojë të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit.

Shoqata e Afaristëve “SHARRI” dhe Komuna e Dragashit janë të përkushtuara për të vazhduar këtë traditë dhe për të mbështetur zhvillimin e mëtejshëm të bizneseve lokale. Panairi EXPO SHARRI është bërë një simbol i përkushtimit dhe pasionit për prodhimet lokale dhe traditat tona, dhe ne mezi presim që të shohim se çfarë do të sjellë panairi i ardhshëm.

©TVOPOJA