Mbi 160 nxënës nga shkollat e Komunës së Dragashit ishin të pranishëm në shtepin e kulturës “Abdurrahman Gerdellaj”, këta nxënës si fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik pranuan libra nga Drejtori i Arsimit në Dragash z.Vloran Cenaj dhe Rexhep Hoti – Koordinator Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport

Me këtë rast drejtori Cenaj tha se këto rezultate pozitive janë arritur falë punës së mësimdhënësve, prindërve por edhe fëmijëve, njëherit ai thekson se komuna e Dragashit është komuna që ka fituar më së shumti shpërblime në nivel të Republikës së Kosovës nga këto gara.

“Edhe pse komuna e Dragashit është një komunë me një numër të vogël të popullsisë dhe të nxënësve jemi një komunë që kemi fituar më së shumti shpërblime në nivel të Republikës së Kosovës. Jemi, kemi qenë dhe do të jemi më të mirët tha drejtori Cenaj. ”

Duke theksuar rezultatet e jashtëzakonshme të garave nga të cilat 44,723 nxënës fitues morën shpërblime, mbi 200 drejtorë, prind, staf organizativë u shpërblyen, koordinatori Hoti  tha se ka qenë një angazhim vullnetar në gjithë Kosovën në të mirë të arsimit.

“Ne sot kemi sjellë para jush libra falë punës tuaj. Ju keni dëgjuar se kemi shumë probleme ne arsim, por arsimi për ne ka qenë shtylla kryesore. Pa arsimin sot asgjë nuk mund të ecë përpara, prandaj ju jeni e ardhmja. Kjo është çështje fundamentale ku të gjithë ne, prindër, politikanë, shërbyes civil, mësimdhënës e të tjerë, duhet të jemi në shërbim të arsimit sepse përmes jush ne kemi një shans të jashtëzakonshëm. Përmes arsimit ju do të mund të formësoni personalitetin tuaj dhe në të ardhmen do të merrni vendime të mëdha për vete dhe për vendin. Kur mendoni ndonjëherë se keni shumë halle e derte si nxënës dhe që keni shumë mangësi për t’i arritur ato që dëshironi në jetë, mos harroni merrni libra dhe lexoni sepse përmes leximit ju mund t’i arrini të gjitha”, tha Koordinatori Hoti.

©TVOPOJA