Për nder të Epopesë së UÇK-së në Dragash, ditën e djeshme u mbajt Akademia Solemne. Në ambientet e Kuvendit Komunal ishin të pranishëm një numër i madh i qytetarëve, në mesin e tyre zyrtarë nga komuna e Dragashit, Policia e Kosovës, përfaqësues të veteranëve të luftës dhe familjarëve të dëshmorëve, si dhe qytetarë të tjerë.
Këtë akademi e hapi kryesuesja e kuvendit, znj. Arjeta Qafleshi Skeraj, e cila përkujtoi veprën, sakrificën dhe heroizmin e familjes Jashari. Kryetari i Komunës, z. Bexhet Xheladini, vlerësoi punën dhe sakrificën e familjes Jashari dhe të rënëve tjerë për liri, duke përkujtuar madhështinë e këtyre ditëve për popullin shqiptar. Gjithashtu, nënkryetari nga komunitetet dhe përfaqësues të OVL-së përkujtuan këtë ditë të madhe.
Ndërsa ditën e sotme u bënë homazhe në Shtatoren e Adem Jasharit, në Varrezat e Dëshmorëve në Dragash dhe në fshatin Buqe, si dhe në shtatoren e rreshterit turk, i cili ra dëshmor në Dragash gjatë demontimit të minave. Pas homazheve, në mënyrë të organizuar, një pjesë e stafit komunal dhe pjesëtarë nga Policia e Kosovës dhe OVL shkuan për vizitë në kullat e Jasharëve, ku u pritën nga Baci Rifat Jashari, e më pas vazhduan me homazhe në Prekazin legjendar.
©TVOPOJA