Me nënshkrim të memorandumit ndërmjet Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës z. Rexhep Hoti dhe Kryetarit të Komunës së Dragashit z. Shaban Shabani, u nis bashkëpunimi për implementimin e Programit Nacional për Rininë për të gjithë nxënësit dhe studentët e kësaj komune.
“Programi Nacional për Rininë është i veçantë sepse nuk e përjashton askënd nga gara dhe mundësitë për t’u dalluar dhe për të dalë më i miri. Në program parashihet edhe databaza e cila do t’u mundësojë secilit prind t’i dijë rezultatet e fëmiut të vet. Ky program do të jetë mundësia më e mirë që komuniteti shqiptar në Dragash të thellojë bashkëpunimin me komunitetet tjera”, u shpreh Koordinatori Hoti.
E Kryetari Shabani tha se në këtë komunë Programi Nacional për Rininë do të ketë efekt më të madh sepse të rinjtë e komunës sonë kanë nevojë për organizime sikur kjo.
“Për komunën tonë ky program është shumë më i rëndësishëm se për komunat tjera sepse rinia këtu nuk është shumë e organizuar. Deri tash nxënësit nuk kanë qenë shumë të motivuar dhe të nxitur për garë prandaj ky program është më shumë se i mirëseardhur. Ne do ta mbështesim me të gjitha kapacitetet që kemi sepse është një program shumë i qëlluar dhe më se i nevojshëm për të rinjtë tanë”, tha Kryetari Shabani.
Koordinatori Hoti u shoqërua nga zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit znj. Leonora Morina-Bunjaku si dhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Azem Guri të cilët theksuan se ministritë që përfaqësojnë e mbështesin Koordinatorin Hoti.
Qëllimi i këtij memorandumi bashkëpunimi është asistimi i ndërsjellë për implementimin e Programit Nacional për Rininë si dhe aranzhimin e përbashkët të aktiviteteve që kanë për synim promovimin e diturisë, kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik si dhe sportit.