Kontingjenti italian në Kosovë, i angazhuar në misionin “Joint Enterprise” të NATO-s, në dhjetëditëshin e dytë të nëntorit realizoi dy projekte të rëndësishme të bashkëpunimit Civilo-Ushtarak në sektorin mjekësor dhe atë qeveritar në favor të popullatës në jug të Kosovës.
Projektet u kryen nga Njësia Italiane e Komandës Rajonale Perëndime (RC-W) e KFOR-it, ku “Djajtë e Verdhë” të Regjimentit 185 të Artilerisë së Parashutisteve, efektivë në Brigadën Folgore të Ushtrisë Italiane bënë donacione për komunën malore të Dragashit.
Me projektin e parë u realizua një sistem fotovoltaik për furnizimin me energji elektrike të ndërtesës së Komunës. Ky donacion synon të rrisë aftësinë për të ofruar shërbime thelbësore për të gjithë popullsinë dhe në të njëjtën kohë ta bëjë mjedisin më pak të ndotur duke shfrytëzuar energjinë e rinovueshme.
Në ceremoninë e dorezimit dhe inaugurimit të impiantit morën pjesë kryetari i komunës së Dragashit, z. Shaban Shabani dhe komandanti i Komandës Rajonale Perëndim (RC-W) të KFOR-it, koloneli Andrea Bertazzo.
Gjatë ceremonisë, kryetari shprehu fjalë miradije për kontingjentin italian, duke sqaruar se sistemi i ri i qëndrueshëm i prodhimit të energjisë elektrike do të mundësojë shpërndarjen e më shumë fondeve publike për aktivitete të tjera, falë kursimeve të energjisë që sistemi fotovoltaik do të garantojë në të ardhmen.
Aktiviteti i dytë i bashkëpunimit civilo-ushtarak përfshinte dërgimin e pajisjeve mjekësore në spitalin komunal. Me atë rast janë dhuruar 2 defibrilatorë, 2 monitorë për monitorimin e parametrave vitalë dhe 2 oksigjeno koncentratorë. Pajisjet e tilla do të sigurojnë kujdes më të mirë shëndetësor për banorët e Dragashit. Me këtë rast, drejtori i spitalit në prani të stafit shëndetësor i dorëzoi Kolonelit Bertazzo një çertifikatë mirënjohjeje për bashkëpunimin e rëndësishëm me kontingjentin italian.
Kontingjenti italian i misionit të KFOR-it, me përfundimin e projekteve të tij të bashkëpunimit civilo-ushtarak, do të vazhdojë të sigurojë përmbushjen e detyrës së misionit sipas diktateve të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.